“Aty ishin shkencëtarët më të zgjuar!” Pse terroristët sulmuan industrinë e hapësirës ajrore në Ankara?

23 tetor 2024 | 22:04

Një sulm terrorist ka ndodhur këtë të mërkurë 50 kilometra larg kryeqytetit të Turqisë, Ankarasë. Tre terroristë të armatosur “kokë e këmbë” goditën selinë e kompanisë turke të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes ,Tusas.

Si pasojë e këtij sulmi pati viktima si dhe të plagosur. Së fundmi, zv.presidenti Cevdet Yılmaz, ministri i Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Özdemir Göktaş, ministri i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya dhe ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu vizituan në spital të plagosur.

Ata dhanë dhe një deklaratë për mediat. Ministri Yilmaz bëri me dije se fatkeqësisht si pasojë e sulmit numri i viktimave është rritur duke shkuar në 5, ndërkohë dhe të plagosur deri më tani janë 22 persona. Ndërkohë dy nga tre terroristët, mes tyre dhe një grua kanë vdekur.

Gjithashtu, ministri u dërgoi dhe një mesazh atyre që qëndrojnë pas sulmit duke thënë se nuk do të arrijnë asnjëherë qëllimet e tyre.

“Ata që i përdorin ato si një mjet prapa tyre, nuk do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre. Së pari, dëshiroj të them se ne dënojmë terrorizmin dhe ata që qëndrojnë pas terrorizmit në këtë incident të tmerrshëm. Fatkeqësisht, në këtë incident të neveritshëm kemi pesë dëshmorë. Me 22 të lënduar, shumica e të lënduarve tanë janë në gjendje të mirë.

Sapo vizituam disa prej tyre në këtë spital. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjitha forcat tona të sigurisë, forcat e rendit, njësitë shëndetësore që ndërhynë që në momentin e parë të këtij incidenti dhe njësitë tona gjyqësore që nisën menjëherë një proces hetimor.

Sulmet terroriste kanë patjetër një qëllim. Futja e frikës në vendin tonë, prishja e qetësisë së popullit tonë, veçanërisht sulmi terrorist që po përjetojmë sot. Ata nuk do të mund të prishin qetësinë e vendit tonë dhe as nuk do të mund të pengojnë marshimin tonë të fuqishëm në industrinë e mbrojtjes. Ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të demoralizojnë punonjësit tanë heroikë të industrisë së mbrojtjes”, tha ai.

Ndërkohë, të shumta kanë qenë reagimet nga ndërkombëtarët. Së fundmi ka qenë këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, i cili dënoi ashpër sulmin terrorist të kësaj të mërkure.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me Turqinë në këto momente të vështira dhe se lutjet e tyre shkojnë për familjarët e viktimave si dhe për të plagosurit.

“Autoritetet turke kanë deklaruar se po hetojnë incidentin si një sulm të mundshëm terrorist. Ne ende nuk e dimë motivin e sulmit ose kush saktësisht ishte pas saj, por ne e dënojmë fuqishëm këtë akt dhune. Në këto ditë të vështira lutjet tona janë me të prekurit nga sulmi, familjet e tyre dhe popullin turk”, tha ai.

Dy nga tre terroristët kanë vdekur.

Terroristët mbërritën në hyrje të Akademisë së Industrisë Ajrore me një taksi, të cilën më pas e hodhën në erë për të krijuar një shpërqendrim dhe sulmuan infrastrukturën, duke qëlluar dhe vrarë. Më shumë se 10,000 njerëz punojnë në pozicione të ndryshme në objektet e Industrisë Ajrore. Qindra punëtorë që dëgjuan shpërthimin dhe të shtënat me armë vrapuan për t’u mbrojtur duke u mbyllur nëpër klasa.
Tre terroristët, mes tyre edhe një grua, pas më shumë se 2 orësh mbetën të vdekur pas një përplasje me forcat e policisë. Autoritetet turke për orë të tëra nuk mund të sqaronin nëse terroristët mbanin pengje, diçka për të cilën edhe disa orë pas sulmit nuk kanë dhënë detaje. Megjithatë, theksohet se ndërhyrja e forcave turke ka qenë shumë e shpejtë pasi kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën brenda shtatë minutave.

Historia e industrisë së hapësirës ajrore të Turqisë-Pse u bë objektivi i terroristëve

Industria e hapësirës ajrore të Turqisë është në thelb një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së lartë. Në ambientet e saj, megjithatë, ka edhe një pjesë të rëndësishme të mirëmbajtjes së sistemeve të armëve vendase, si dhe një departament mirëmbajtjeje të sistemeve të armëve që u janë shitur vendeve të treta.

Vitet e fundit, në ambientet dhe departamentet e qendrës specifike janë punësuar më shumë se 15,000 punëtorë dhe shkencëtarë të specializuar. Media turke raporton se industria e hapësirës ajrore të vendit thith disa nga mendjet më të rëndësishme të Turqisë që kanë diploma doktorature në fushat shkencore dhe zhvillimore.

Industria e Hapësirës Ajrore u krijua në 1973 me synimin për të reduktuar varësinë e vendit nga palët e treta për pajisje ushtarake dhe për të reduktuar shpenzimet e saj qeveritare. Në vitin 2005, Industria e Hapësirës Ajrore dhe Kompania Kombëtare e Prodhimit të Avionëve u bashkuan në një organizatë në të cilën Forcat e Armatosura Turke kanë shumicën e aksioneve (54,49%).

Që kjo qendër e veçantë e teknologjisë së luftës ishte në shënjestër mund të lidhet me “faktorë” të brendshëm dhe të jashtëm. PKK me siguri do të jetë brenda objektivave hetimore të shërbimeve sekrete turke pa përjashtuar përfshirjen e palëve të treta.

Sondazh

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj nuk ka kursyer kritikat…