ATY KU GEGNISHTJA DHE TOSKNISHTJA – “PUTHEN”

10 korrik 2022 | 22:12

Shkruan: Migjen Kelmendi

Asht nji vend dhe nji lum, që kalon rrafsh mes-për-mes Shqipnie, ku Gegnishtja dhe Tosknishtja pikëpjeken, “puthen”. Më kishte folë Henri (Çili) për këtë gjeografi të Gjuhës Shqipe, që më dukej si prrallë, dhe ma n’fund vendosëm me vizitue, për ç’gja u jam falënderues Henrit dhe Ermirit.

Për dashnorët e Gjuhës Shqipe, për “ekologët” e Shqipes, ky vend asht vend pelegrinazhi, vend i shejtë, që e dëshmon historinë po edhe gjeografinë e zhvillimit të Shqipes.

Këndej lumit Shkumbin, e keni katundin Labinot-Fushë, ku idiom natyrore asht Gegnishtja, dhe matanë gjendet katundi Shushicë, ku Tosknishtja asht idioma natyrore. Vetëm uji i Shkumbinit i ndanë, si me dashtë Zoti me përthye, me i dhanë nji twist e me diversifikue Gjuhën Shqipe. Njashtu siç e kishte diversifikue e mrekullue me bukuri krejt këtë vend! (Mos e leni pa shku me e pa!)

E keqja asht se kjo gjeografi e Gjuhës Shqipe, ky vend i shejtë që për studiuesit, njerëzit e kulturuem e të shkolluem, për dashnorët e Shqipes përjetohet dhe konsiderohet si vend pelegrinazhi, njikohësisht asht edhe nji “crime scene” për ata që nuk e patën as shkollimin e as kulturën e duhun me e përjetue si pasuni këtë fenomen gjeografik-lingual.

Duhesh me qenë shumë primitiv, shumë enverian e i vrazhdë, me e kuptue e pa këtë lum si fatalitet të Gjuhës Shqipe.

Sot, kultura shqiptare, me Tiranën kryeqytet të këtij fataliteti gjuhësor, e kuptojnë lumin Shkumbin si fundin e gjeografisë së Gjuhës Shqipe (sic!).

Labinot-fusha dhe Shushica, me Shkumbinin në mes, asht ekstrapolim i përkryem gjeografik i nji gabimi fatal për këtë kulturë dhe për këtë gjuhë, që ndodhi në vitin 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit.

Po aq sa ky vend asht “crime scene” e atyne që menduen dhe mendojnë se gjeografia e Gjuhës Shqipe e ka kufinin te lumi Shkumbin, njisoj sot  ky vend asht vend pelegrinazhi për adhuruesit e Shqipes, që Shkumbinin s’e kuptojnë si kufi, po si pikëpjekje, si vend i dashnisë dhe puthjeve!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të thuash se je kundër nacionalizmit dhe të nënshkruash një…