Auditorët e ZKA-së ndjekin trajnim për prokurim publik nga KRPP-ja dhe USAID-i
Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), me mbështetjen e projektit USAID-KMI dhe Kolegjit AAB, më shumë se 100 auditorë të ZKA-së janë duke ndjekur trajnimin njëjavor për fushën e prokurimit publik.
Të pranishëm në ditën e dytë të trajnimit që po mbahet në ambientet e Kolegjit AAB, ishin Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, anëtarët e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli dhe Avni Sahiti, Zëvendës Drejtoresha e Projektit USAID-KMI, Afërdita Mekuli, si dhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit e KRPP-së, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë e tyre për mbajtjen e trajnimeve në fushën e prokurimit publik, me qëllim të avancimit të njohurive të auditorëve, puna e së cilëve ndihmon shtetin në forcimin e sundimit të ligjit. Ajo tha se prokurimi publik vazhdon të mbetet pjesa më e cenueshme ndaj korrupsionit dhe mashtrimit, duke shtuar se 80 për qind të rasteve me elemente potenciale për mashtrim që ZKA-ja i dërgon për hetim të mëtutjeshëm te Prokurori i Shtetit, i takojnë fushës së prokurimit publik.
Auditorja e Përgjithshme tregoi se auditimet e ZKA-së në vazhdimësi kanë nxjerr në pah mangësi në fushën e prokurimit publik dhe në baza vjetore, mbi 100 rekomandime jepen vetëm për këtë fushë. Ajo tha se ky trajnim është i domosdoshëm dhe në kohën e duhur. Zonja Spanca falënderoi edhe Projektin USAID-KMI për bashkëpunimin në ndërtimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik dhe kundër mashtrimit e korrupsionit.
Anëtarja e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli, tha se bashkëpunimi i pandërprerë me ZKA-në dhe partneriteti me USAID- KMI përforcojnë qasjen ndaj llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, pjesë integrale për qëndrueshmërinë dhe sukseset e sektorit publik në Kosovë. Ajo tha se ky trajnim përveç përvetësimit të njohurive forcon angazhimin e përbashkët për t’u bërë roje të integritetit dhe llogaridhënies, promovimin e konkurrencës së ndershme, sigurimin e vlerës për paratë dhe kontributin në arritjen e qëllimeve të zhvillimit ekonomik e social.
Zëvendës Drejtoresha e Projektit USAID-KMI, Afërdita Mekuli, vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar me ZKA-në dhe KRPP-në duke thënë se qëllimi i këtij bashkëpunimi është që t’i zvogëlojë mundësit për korrupsion në sektorin publik.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani, theksoi se ky trajnim po mbahet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me ZKA-në, duke potencuar se ZKA-ja vazhdon të mbetet njëra prej institucioneve më serioze në Kosovë falë punës së saj profesionale dhe cilësore.
Drejtoresha e Departamentit për Auditime të Prokurimit Publik, Fatlinda Ramosaj, tha se pjesëmarrja e madhe e auditorëve flet mbi rëndësinë e këtij trajnimi, duke shtuar se ZKA-ja përmes auditimeve në vazhdimësi i jep fokus të veçantë fushë së prokurimit publik.