Auditori i MKRS-së po auditon dy dosje të tenderit të “Pjetër Bogdanit”
Javën e kaluar gazeta “Epoka e re” ka raportuar për dy dosje të tenderit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në artikullin e javës së kaluar “Shpërthen skandali në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’”, të publikuar me datë 29 dhjetor 2023, gazeta “Epoka e re” ka raportuar si vijon: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në muajin nëntor të vitit 2023 ka blerë një skaner për digjitalizimin e librave. Sipas specifikave të kontratës të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP), përshkrimet e çmimeve në këtë kontratë janë kështu: 1. Furnizim me skaner profesional për digjitalizimin e librave, 1 copë, vlera 78 000.00 euro; 2. Instalimi dhe konfigurimi i skanerit profesional për digjitalizimin e librave për përdorim sipas standardeve bibliotekare, 1 copë, vlera 21 000.00; 3. Trajnimi i stafit për përdorimin e skanerit profesional për digjitalizimin e librave sipas standardeve bibliotekare, një copë, vlera 5 000.00 euro; konfigurim i pajisjes/softuerit për ruajtje me serverin/databazën e BKK-së, 1 copë, vlera 15 500.00 euro. Të katër këto përshkrime i kanë kushtuar Bibliotekës Kombëtare 119 500.00 euro. Me këtë kontratë Biblioteka Kombëtare e ka shpërblyer operatorin ekonomik “Tech Vision Sh. P. K” me zyrë në Prishtinë, të cilit pagesa i është bërë me datë 23.11.2023. Një muaj më pas e njëjta kompani nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës është shpërblyer me tenderë 298 000.00 euro për pajisje me tre skanerë për digjitalizim të librave. Ndër të tjera, Biblioteka Kombëtare në kontratën e dytë ka blerë një skaner sikurse e kishte blerë një muaj më parë, me të gjitha karakteristikat e njëjta. Por, çfarë ndodh në kontratën e dytë? Skaneri i dytë, i njëjtë me të parin, i blerë po nga e njëjta kompani, nuk kushton më 78 000.00 euro, por 121 000.00 euro. Skandali nuk është vetëm te çmimi më i shtrenjtë i pajisjes për 43 000.00 euro. Është te përshkrimi. Për skanerin e parë të blerë më 23.11.2023 Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar faturën nga operatori ekonomik “Tech Vision Sh. P. K”, siç përmendëm më sipër, me këto përshkrime: 1. Furnizim me skaner profesional për digjitalizimin e librave, 1 copë, vlera 78 000.00 euro; 2. Instalimi dhe konfigurimi i skanerit profesional për digjitalizimin e librave për përdorim sipas standardeve bibliotekare, 1 copë, vlera 21 000.00; 3. Trajnimi i stafit për përdorimin e skanerit profesional për digjitalizimin e librave sipas standardeve bibliotekare, një copë, vlera 5 000.00 euro; konfigurim i pajisjes/softuerit për ruajtje me serverin/databazën e BKK-së, 1 copë, vlera 15 500.00 euro. Do të thotë, për skanerin e parë Biblioteka Kombëtare ka bërë pagesë 41 000.00 vetëm për instalim, konfigurim, trajnim. Për skanerin e dytë, për të njëjtin lloj, të blerë një muaj më pas, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka bërë pagesë 6 000.00 euro, duke përfshirë në këtë çmim edhe mirëmbajtjen njëvjeçare që nuk ishte përfshirë në skanerin e parë, kurse e ka paguar skanerin jo 78 000.00 euro, por 121 000.00 euro. Të gjitha procedurat e pranimit të tre skanerëve, testimit të tyre dhe trajnimit të stafit, edhe pagesa për operatorin ekonomik, janë bërë brenda një dite, më 26.12.2023. Sipas disa informacioneve dhe fotografive që ka siguruar gazeta “Epoka e re”, këto pajisje në Bibliotekën Kombëtare kanë ardhur të martën e datës 26 dhjetor pas orës 14.00 me një kamion me targa të Çaçakut, kurse kamioni është larguar nga oborri i Bibliotekës Kombëtare dhe ka vazhduar rrugën për Serbi në orën 15.10. Për një kohë kaq të shkurtër, anëtarët e komisionit të pranimit teknik të kontratës nr. 90900-23-10385-1-2-1/C107, kanë arritur të bëjnë pranimin e mallit, testimin e pajisjeve dhe të trajnohen për këto pajisje. Kështu shkruan në një raport të këtij komisioni që ka siguruar gazeta “Epoka e re”. E vërteta, sipas burimeve të gazetës, është ndryshe. “Pajisjet, për shkak të transparencës së publikut dhe të gazetës, janë ende të paketuara. Me këtë rast po ju dërgojmë edhe disa fotografi të pajisjeve të mbështjella me qese najloni”, kanë njoftuar burimet e gazetës “Epoka e re”.
Gazeta “Epoka e re” ka kontaktuar edhe me disa kompani të cilat merren me shitblerjen e pajisjeve të teknologjisë së informacionit, kryesisht të skanerëve, të cilat i ka pyetur nëse janë reale çmimet dhe përshkrimet për këta skanerë që ka blerë Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Zyrtarët e shitjes së këtyre llojeve të pajisjeve në dy kompani na kanë bërë me dije se për instalimin, konfigurimin dhe trajnimin e stafit për këta skanerë do të kërkonin 200.00 euro në ditë, asnjë centë më shumë. E për këto tri punë Biblioteka Kombëtare e ka paguar kompaninë “Tech Vision Sh. P. K.” 41 000.00 vetëm për skanerin e parë. Në ditët e ardhshme do të bëjmë përpjekje të kontaktojmë edhe me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, zyrën e auditimit të kësaj ministrie, për të marrë një përgjigje prej tyre lidhur me dy kontratat e fundit që Bibliotekës Kombëtare i kanë kushtuar mbi 400 000.00 euro.
Burimet e gazetës “Epoka e re” njoftojnë se auditori i MKRS-së, pas raportimit në gazetë, ka nisur t’i auditojë këto dy raste të tenderëve dhe, gjithashtu, po merret edhe me katër mbledhje të Këshillit Drejtues, të mbajtura njërën pas tjetrës me datë 1, 2, 3, 4 shkurt 2023, në të cilat nuk ka asnjë dallim në nënshkrimet e anëtarëve të këtij Këshilli, edhe pse mbledhjet i kanë mbajtur fizikisht në zyrën e këtij Këshilli në Bibliotekën Kombëtare.
Nesër “Epoka e re” do të publikojë të dhëna të katër skanerëve që ka blerë Biblioteka Kombëtare e Kosovës në vlerë mbi 400 000.00 euro nga kompania “Tech Vision” dhe do t’i publikojë çmimet e këtyre skanerëve në treg.