Auditori i Përgjithshëm kritikon institucionet për sigurinë në trafik
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të martën prezantimin publik të raportit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” ku morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, nga shoqëria civile si dhe profesorë e ekspertë të fushës.
Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se realizimi i këtij raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit është në dobi të qytetarëve sepse trajton një prej problemeve kryesore të shoqërisë sonë.
Osmani ka theksuar se raporti “Siguria në trafikun rrugor” synon t’i ndihmojë institucionet që janë përgjegjëse për të përmirësuar situatën në trafik.
“Ajo që ka qenë shqetësuese nga të gjeturat e raportit është se kemi koordinimi të pamjaftueshëm të akterëve të cilët do të mundësonin një qasje të mirë organizuar dhe të orientuar në rezultate. Raporti përmban rekomandimet se çka është e rëndësishme të përmirësohet në mënyrë që të minimizohet numri i jetëve të humbura që shkaktohen nga situata kaotike në trafik”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, duke prezantuar konkluzionet kryesore të këtij raporti ka thënë se auditimi ka nxjerrë në pah se institucionet përgjegjëse nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik.
“Gjetjet e raportit tregojnë se kontrollet policore në trafikun rrugor në rajonin e Prishtinës kanë qenë të mangëta. Nuk ka orientim të kontrolleve policore sipas nevojave dhe rreziqeve, si dhe Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës karakterizohet me të dhëna jo të plota dhe jo të sakta. Këto kanë bërë që policia të mos jetë efektive sa i përket rritjes së sigurisë në trafik”, u shpreh Spanca.
Po ashtu, Spanca ka pohuar se edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka arritur të implementojë kriteret e rëndësishme të sigurisë rrugore dhe të funksionalizojë Këshillin për Sigurinë në Trafikun Rrugor deri në fund të vitit 2018.
Spanca shtoi se edhe Komuna e Prishtinës nuk ka arritur që të sigurojë mirëmbajtje të duhur dhe permanente për të gjitha rrugët, për të cilat është përgjegjëse përfshirë edhe sinjalizimin.
Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se periudha e auditimit ka përfshirë vitin 2016, 2017 dhe 2018.
Zymberi ka thënë se objektivë e këtij auditimit ka qenë që institucionet përgjegjëse, Ministria e Infrastrukturës, Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës të bëjnë përpjekjet e duhura për të ofruar siguri në trafikun rrugor.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se siguria në trafikun rrugor mbetet ende një sfidë për institucionet relevante dhe kërkon veprime të menjëhershme. Bazuar në këtë, ZKA-ja ka dhënë 24 rekomandime për institucionet e audituara me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik. Tetë prej këtyre rekomandimeve janë për Policinë e Kosovës, 10 janë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe gjashtë rekomandime janë për Komunën e Prishtinës”, u shpreh Zymberi.
Ndërkaq, Udhëheqësi i ekipit, Labinot Sadiku, ka prezantuar para të pranishmëve në detaje të gjeturat e raportit të performancës “Siguria në trafikun rrugo”.
Përfaqësuesit e institucioneve të audituara u pajtuan me të gjeturat e raportit të auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”, si dhe kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
/Epoka e re/