Auditori i Përgjithshëm viziton Parlamentin e Japonisë
Në kuadër të vizitës në Tokio të Japonisë, kryeauditori i Kosovës Besnik Osmani dhe zëvendës auditori Ilir Salihu të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, mbajtën takime të veçanta në Parlamentin e Japonisë, Bashkinë e Tokios dhe Bordin e Auditimit të Japonisë.
Në Parlamentin e Japonisë, Osmani dhe Salihu u pritën në një takim të veçantë nga kryesuesi i Komisionit për Auditim dhe Mbikëqyrje të Administratës, Banri KAIEDA.
“Në takim u bisedua për rëndësinë e auditimit të jashtëm në menaxhimin e mirë të fondeve publike, me theks të veçantë për bashkëpunimin në mes të parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Audimit, sidomos në rolin e Parlamentit në zbatimin e rekomandimeve të auditimit, me qëllim të përmirësimit të qeverisjes dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike. Ndërsa, në takimin e mbajtur në bashkinë e Tokios, Auditori i Përgjithshëm u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Sekretarisë për Auditimit dhe Inspektim të Tokios si dhe përfaqësues nga Komiteti i Auditimit. Temë e këtij takimi ishte roli, mandati organizimi , llojet e auditimit dhe inspektimit që kryhen nga ky Institucion në subjektet publike të Tokios”, është thënë në njoftimin e ZAP.
Sipas këtij njoftimi, po ashtu u biseduan çështje me interes për palët, ndërsa praktikat e veprimit dhe masat korrigjuese që ndërmerren nga institucionet japoneze, me qëllim të zbatimit të rekomandimeve, u vlerësuan si një mekanizëm i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm për të rritur përgjegjësinë në menaxhimin me fondet publike. “Po ashtu, u bisedua për përgatitjet për auditimin e fondeve për Olimpiadën “Tokyo 2020” dhe mundësitë që auditorët kosovarë të përfitojnë njohuri të reja nga kjo përvojë e veçantë. Auditori i Përgjithshëm, u mirëprit në takim edhe nga Auditorja e Përgjithshme e Japonisë Dr. Mari KOBYASHI, e cila ka shprehur kënaqësinë për rezultatet e mira dhe rritjen e kapaciteteve në Zyrën Kombëtare të Kosovës duke nënvizuar vullnetin e saj për t’i përkrahur institucionet e Kosovës në rrugëtimin për menaxhim efektiv të pasurisë publike. Nga delegacioni kosovar është informuar për rezultatet dhe synimet integruese në Institucionet ndërkombëtare të auditimit. Gjatë vizitës në Japoni, delegacioni nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ka vizituar edhe Ambasadën e Kosovës në Japoni”, është thënë në njoftimin e ZAP.
/Epoka e re/