Auditori shpërfaq shkeljet në institucione në vitin pandemik
Keqklasifikimet e buxhetit dhe shkeljet e rregullave të prokurimit publik, janë vetëm disa nga problemet që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), i ka hasur nëpër institucione të Kosovës gjatë vitit 2020.
Auditori i Përgjithshëm, ka nisur publikimin e raporteve të veçanta për institucione për vitin 2020. Raportet e publikuara, përfshijnë disa komuna të Kosovës, ministri dhe agjenci të pavarura shtetërore.
Pandemia e koronavirusit, që nisi të përhapet në Kosovë në mars të vitit 2020, sipas disa përfaqësuesve të institucioneve, ka ndikuar në kapacitetin e përgjithshëm të punës si dhe në disa prej parregullsive të evidentuara.
Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se gjetjet e ZKA-s, në një masë të madhe kanë të bëjnë me mënyrën e shpenzimit të parasë publike përmes tenderëve.
“Mbetet çështje shqetësuese respektimi i proceseve të prokurimit edhe angazhimi i stafit shtesë, pa respektuar parimet kryesore që lidhen me pajtueshmërinë, me kërkesat dhe procesin e të qenit transparent”, ka thënë ai.
Deri më tani, auditori ka publikuar raportet për Komunën e Gjilanit, Ranillugut e Lipjanit, si dhe për agjencitë e ndërmarrjes si “Trainkos”, Agjencia Kundër Korrupsionit e Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Në Komunën e Gjilanit, Auditori gjeti se komuna kishte shpërblyer me tender një kompani që nuk e kishte përmbushur njërin prej kritereve të tenderit.
Ndërsa në Lipjan, auditori gjeti se mbi 60 mijë euro nga mjetet komunale të parapara për menaxhimin e pandemisë, ishin destinuar në projekte të tjera të komunës që nuk kishin të bënin me Covid-19.
Ndërsa ndërmarrja komunale “Trainkos”, që ka për detyrë ofrimin e shërbimeve për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, kishte bërë edhe shitjen e naftës te ndërmarrja publike “Infrakos”, një veprim ky jashtë statutit ligjor të ndërmarrjes.
Si ndikoi pandemia në parregullsi në institucione?
Ndryshe nga vitet e kaluara, zyrtarëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, u është dashur që auditimin ta bëjnë në kushte të jashtëzakonshme, përkatësisht në situatë të pandemisë.
Megjithëse shkeljet e evidentuara nëpër raportet e auditorit prekin fusha dhe probleme të përsëritura ndër vite, disa prej këtyre telasheve të gjetura, përfaqësuesit e institucioneve po ia atribuojnë edhe pandemisë.
Në Komunën e Gjilanit sipas auditorit, në një tender me vlerë 570,000 euro, është vërejtur se kryetari i komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit, ishte caktuar edhe menaxher projekti për këtë kontratë.
Sipas sqarimeve të zyrtarëve komunalë, kjo ka ndodhur pasi që ishte kohë pandemie dhe nuk kishte zyrtarë tjerë, të cilët e pranonin këtë pozitë.
Megjithëkëtë, në përgjithësi, Auditori i ka vlerësuar pozitivisht pasqyrat financiare të komunës dhe këtë e sheh si shumë pozitive kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri.
“Raporti për vitin buxhetor për Gjilanin është jashtëzakonisht pozitiv, përfundimisht është ma i mirë se raporti i vitit të kaluar. Nga 14 rekomandime, 12 janë të vjetra dhe dy janë të reja, që janë të implementueshme”, ka thënë ai.
Haziri për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se pandemia Covid-19 mund të ketë ndikuar në disa prej çështjeve të theksuara nga auditori.
“Natyrisht që një numër i çështjeve është lidhur edhe me harxhime buxhetore dhe me kontrata të shpejta në përputhje me pandeminë dhe masat që kanë ndërmarrë, qoftë qeveria qoftë niveli komunal, për përballimin e çështjeve të pandemisë”, ka thënë ai.
Edhe Komuna e Lipjanit, sipas auditorit pati telashe për shkak të pandemisë. Stafi i reduktuar ishte një ndër arsyetimet e komunës për mosrespektim të planit të prokurimit për atë vit.
Zyrtarë të Komunës së Lipjanit, nuk kanë qenë të qasshëm për një koment lidhur me këtë çështje.
Shkeljet që auditori i përgjithshëm i gjen nëpër institucione, variojnë nga shkeljet administrative e deri te çështjet penale.
Sipas auditorit të përgjithshëm, Besnik Osmani, në shumë raste ku gjenden shkelje administrative, kërkohet përmirësim nga institucioni në fjalë, ndërsa ka raste kur çështjet e evidentuara përfundojnë në Prokurori.
“Sa u përket sanksioneve, kur raportet tona rezultojnë me gjetje dhe rekomandime, që janë në shkallën e parë, vetë krerët e institucioneve duhet të veprojnë për të marrë masa adekuate”, ka thënë ai.
Gjetjet e auditorit dhe sidomos ato për komunat po i sheh si shumë shqetësuese Qëndrim Arifi, nga organizata joqeveritare INPO.
“Ne shohim që shumë gjetje sidomos ato të fushës së prokurimit publik, janë pothuajse gjetje identike që INPO i monitorin. Pra nuk mund të gjesh komunë që nuk merr rekomandime nga fusha e prokurimit publik”,ka thënë Arifi.
Sipas tij, nuk duhet të mjaftohet vetëm me evidentimin e shkeljeve, por për raste të korrupsionit dhe shkeljeve të rënda, duhet të ketë sanksione reale.