Auditorja e Përgjithshme fton institucionet përgjegjëse që të forcojnë masat për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje

13 shtator 2023 | 19:38

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Zyrën e UN Women në Kosovë mbajtën tryezë pune ku u prezantuan rezultatet e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”.

Qëllimi i kësaj tryeze përveç shpalosjes rezultateve të auditimit ishte edhe t’i mbledhë së bashku edhe palët përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve. Në këtë rast, Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, Avokati i Popullit z. Naim Qelaj dhe udhëheqësja e UN Women në Kosovë znj. Vlora Nushi përveç që vlerësuan lartë rezultatet e auditimit shprehen domosdoshmërinë e marrjes së masave për zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se dhuna në familje nuk njeh kufij, prandaj duhet krijuar dhe fuqizuar mekanizmat që parandalojnë dhe luftojnë këtë dukuri.

Si rezultat i këtij auditimi vërehet se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, megjithatë nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. “Lufta kundër dhunës në familje nuk është thjesht një detyrë, por një përgjegjësi morale. Bashkë mund të bëjmë më shumë duke krijuar një shoqëri ku dëgjohen zërat e të pambrojturve, të përmirësojmë situatën për viktimat e dhunës në familje dhe të krijojmë një shoqëri më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, deklaroi znj. Spanca.

5C0F3838-75A8-4E4B-8471-D7620BF568E4.jpg

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen dhe respektin për punën audituese duke theksuar se mirëpret raportin si të parin e këtij lloji në vend nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Më tej ministrja Haxhiu ka përmendur disa nga nismat, dhe rezultatet e arritura nga Ministria e Drejtësisë, siç janë, hartimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, hartimi i Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale; miratimi i Kurrikulës mbi zhvillimin e Programeve për Kryesit e Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave; miratimi i Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit; miratimi i Projektligjit për Ndihmë Juridike Falas, Plotësim/ndryshimi i Kodit Penal dhe miratimi i  ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale; fuqizimi institucional e financiar i strehimoreve, në mbi 100% më shumë se në vitet e kaluara, dhe një sërë nismash të tjera të cilat gradualisht po ngritën në kuadër të standardeve të asaj që njihet si Konventa e Stambollit.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se edhe përkundër përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve, përkundër angazhimit dhe masave të ndërmarra, rastet e dhunës në familje janë shtuar. Ai theksoi se kjo mund të merret edhe si rezultat i vetëdijesimit dhe raportimit të rasteve, por kjo nuk e eviton faktin se dhuna në familje është shumë prezente në shoqërinë tonë. Kjo shton nevojën që institucionet dhe në përgjithësi si shoqëri, të reagojmë dhe të marrim të gjitha masat për të luftuar këtë dukuri.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe rritja e efikasitetit institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje janë dy anë të së njëjtës medalje. “Ne si UN Women, e shohim si vendimtare përfshirjen dhe intensifikimin e buxhetimit gjinor në çdo aspekt, meqë vetëm në këtë mënyrë investimi në përmirësimin e jetës së grave është më i qëndrueshëm. Jemi të lumtur që kemi pasur mundësinë të ofrojmë asistencë teknike në këtë raport brenda kornizës së programit ‘Financimi transformativ për Barazi Gjinore drejt një qeverisjeje më Transparente, Gjithëpërfshirëse dhe Llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor’ i cili implementohet në nivel rajonal dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida)”, theksoi Nushi.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të tryezës theksoi se “është detyrim kushtetues i shtetit që të sigurojë të drejtën e qytetarëve për jetë, prandaj puna e përbashkët e drejtuesve institucional sjellë më shumë rezultate në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Arianit Koci, ka deklaruar se mbrëmë hetuesit e Gjykatës…