Auditorja e Përgjithshme gjenë 187 shkelje në disa institucione
Raporti Vjetor i Qeverisë për vitin 2023, Zyra Kombëtare e Auditmit ka gjetur disa gabime. Kështu ka deklaruar në një konferencë për medie auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.
Ajo tha se arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponentë të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023, ishte materiale.
“Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 25 milion euro. Prej tyre mbi 11 milionë euro i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal. Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro”, ka thënë Spanca.
Zv/auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike që Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK nuk janë treguar efikas në administrimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor.
“Po ashtu, menaxhimi jo i duhur i furnizimit me material mjekësor dhe pamjaftueshmëria e materialit pengojnë trajtimin me kohë të pacientëve”, ka thënë Halilaj.
Halilaj shtoi se gjetje të parregullsisë ishin edhe mbi 309 hektarë tokë bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës nuk menaxhohen në mënyrë të duhur. Po ashtu, Menaxhimi i parkingjeve publike në Prishtinë nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking, auditimi ka nxjerrë në pah se një numër i konsiderueshëm i lejeve të parkimit janë lëshuar pa dokumentacione të nevojshme dhe se ndërmarrja nuk kishte arritur të bëjë planifikimin e duhur të parkingjeve.
Spanca, ndërkaq, shtoi se prej vitit 2018 Prokuroria e Shtetit ka ngritur vetëm 3 aktakuza prej 143 rasteve të dyshimit për vepër penale që Zyra Kombëtare e Auditmit i ka dërguar.
“Në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të cilën e kemi me Prokurorin e Shtetit, që në momentin që e dërgojmë, Prokurori i Shtetit të kthejë informacion jo vetëm për ato raste por edhe për rastet e kaluara dhe në bazë të informacionit të fundit që kemi marrë nga Prokurori i Shtetit, për 143 raste që kemi dërguar prej vitit 2018 e tutje janë vetëm tri aktakuza”, ka shtuar Spanca.
Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat ka dhënë rekomandime.