Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 30-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, zëvendësauditori i përgjithshëm Bezad Halilaj, ndihmësauditori i përgjithshëm Agron Fetiu dhe drejtori i përgjithshëm Safet Berisha qëndruan për vizitë zyrtare në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Konferenca e organizuar për shënimin e përvjetorit trajtoi arritjet dhe sfidat e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë përgjatë tri dekadave, ku të pranishmit vlerësuan se arritjet e institucionit përgjatë kësaj periudhe mund të jenë frymëzim për institucionet homologe, duke ndarë përvoja dhe praktika më të mira në fushën e auditimit.
Po ashtu u theksua se angazhimi për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare si INTOSAI dhe EUROSAI nënvizon përkushtimin e përbashkët për promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike.
Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë, Ivan Klesic, falënderoi mysafirët për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë në kuadër të konferencës duke vënë në pah rëndësinë e shkëmbimeve të tilla për përmirësimin e praktikave të auditimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.