Auditorja e Përgjithshme rekomandon marrjen e masave të shpejta për të përmirësuar procesin e menaxhimit të pronave shoqërore
Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pronës shoqërorë dhe ato për menaxhimin e projekteve të financuara të donatorëve nuk kanë treguar përformancë të mirë në të gjitha rastet për të përmbushur objektivat e tyre
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira, prandaj rekomandohet marrja e masave të shpejta dhe rigoroze për të përmirësuar këto procese. Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencën për media të mbajtur sot, ku ka prezantuar konkluzionet e auditimeve “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021” si dhe “Funksionimi i sistemit të Grantittë Performancës Komunale dhe projektet e financuara nga donatorët”.
Znj. Spanca ka bërë me dije se rezultatet e auditimit “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021”tregojnë se rreth 41% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste është mbi 800 mijë euro. “Kjo humbje është vetëm duke ju referuar vlerës së kontratave të AKP-së, përndryshe humbja mund të jetë edhe më e lartë sikur të merrej për bazë vlera e çmimit të tregut për qiratë e pronave në zona të njëjta”, është shprehur ajo.
Auditorja e Përgjithshme ka treguar se procesi i qiradhënies së pronave dhe aseteve tjera shoqërore nuk ishte zhvilluar në përputhje me qëllimin e ligjit për AKP-në. Madje për pronat që kanë qenë në likuidim kontratat për qiradhënie ishin vazhduar pa aplikuar parimin e konkurrencës së lirë, transparencës dhe mos arritjen e vlerës për para. Po ashtu në raste të caktuara, pa përfillur këto parime AKP-ja kishte lidhur kontratë me uzurpuesit apo shfrytëzuesit e paligjshëm.
Gjithashtu auditimi ka vënë në pah se në disa raste pronat janë dhënë me qira pa e përcaktuar qëllimin e shfrytëzimit, për rrjedhojë një pronë ishte eksploatuar për qëllime të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit gëlqeror për së paku dhjetë vite duke eksploatuar mbi 300,000 metra kub gur gëlqeror përderisa AKP-ja ka përfituar vetëm 4,511 euro të hyra nga qiraja.
Ndërsa në katër raste të tjera pronat e AKP-së nuk ishin menaxhuar si duhet dhe si rezultat i keqmenaxhimit humbjet potenciale janë vlerësuar në vlerë 505,327 euro. AKP-ja kishte lidhur kontratë për tokën bujqësore me sipërfaqe 10,007m2 me çmim prej 122 euro në muaj, ndërsa në tri raste të tjera edhe pse janë bërë ndryshime të kushteve të kontratës AKP-ja ka nënshkruar kontratat pa miratimin e Bordit Drejtues.
Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se një dukuri domethënëse të cilën e ka identifikuar auditimi tek 12 raste është se AKP-ja me rastin e lidhjes së kontratave për qiradhënie nuk ka bërë hulumtimin e tregut për të përcaktuar çmimin e qirasë në përputhje me vlerën e tregut, madje nuk kishte marr parasysh as çmimin e kontratave referente.
AKP-ja nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për të menaxhuar si duhet pronat dhe asetet shoqërore. Prandaj mungesa e veprimeve për menaxhimin e pronave tregon që sistemi i kontrollit të brendshëm në AKP nuk ishte në nivelin e duhur, për rrjedhojë nuk është siguruar se të hyrat nga qiraja e pronave të mund të rriten.
Për të eliminuar mangësitë e identifikuara kërkohen veprime konkrete prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar AKP-në që të rishikojë aktet e brendshme juridike për dhënien me qira të pronave në mënyrë që procesi të jetë në frymën e parimeve të konkurrencës së lirë dhe transparencës; të sigurojë se të gjitha pronat janë liruara nga shfrytëzues ilegal; të ndërmarrë veprimet e duhura për mirëmbajtje të aseteve në mënyrë që pronat të shfrytëzohen në përputhjen me qëllimin e dhënies me qira; të ndërmerr veprimet e duhura për rritjen e fondeve nga të hyrat e qirasë dhe rritjen e vlerës së aseteve të NSh-ve në likuidim; si dhe të bëjë matjen gjeodezike të sipërfaqeve me kohë në mënyrë që mos ketë mospërputhje në mes të sipërfaqeve të kontraktuara dhe atyre të shfrytëzuara.
Edhe sa i përket auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe projektet e financuara nga donatorët” Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë me dije se ka rezultuar me disa mangësi. Kthimi i mjeteve në fundvit dhe vonesat e shkaktuara nga alokimi i mjeteve nga financuesit e skemës kishin si rezultat obligime të bartura për komuna, projekte kapitale të paregjistruara në Programin e Investimeve Publike dhe vonesa apo mos përfundim të projekteve.
Rezultatet e auditimit tregojnë se projektet e financuara nga donatorët gjatë vitit 2021 ishin përcjellë me dobësi të ndryshme gjatë zhvillimit të procedurave nga komunat përfituese.
Menaxhimi i kontratave në disa raste ka rezultuar joefikas. Madje disa projekte nuk janë përfunduar me kohë apo edhe nuk janë përfunduar fare, ndërsa një projekt do të mund të realizohej për 106,546 euro më lirë sikur procedura mos të ishte ndarë në LOT-e, rrjedhimisht sikur operatorëve ekonomik mos t’iu mundësohej ofertimi me çmime të ndryshme për pozicione të njëjta, edhe pse zhvillimi i kësaj procedure ishte konformlegjislacionit.
Për të përmirësuar funksionimin e Grantit të PerformancësKomunale duhet shtuar kontrollet e brendshme në komunat përfituese duke siguruar menaxhim më ekonomik dhe efikas të projekteve. Prandaj ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për qeverinë dhe tetë rekomandime për komunat përfituese të grantit.
Raportin e plotë të auditimit “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021” e gjeni këtu.
Raportin e plotë të auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe projektet e financuara nga donatorët” e gjeni këtu.