Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike, thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mori pjesë në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për lansimin e Studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovë, i njohur si NIS.
Punimet e konferencës u zhvilluan në tri panele, pjesë e të cilave ishin drejtues të lartë të institucioneve publike.
Në kuadër të panelit të tretë “Roli i institucioneve dhe agjencive të pavarura në garantimin e integritetit institucional”, Spanca tha se detyra kryesore e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është të vlerësojë nëse fondet publike shpenzohen në mënyrë efikase, efektive, ekonomike dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe prioritetet kombëtare.
“Përmes auditimeve vlerësojmë integritetin financiar të institucioneve publike, zbulojmë elemente potenciale të mashtrimit dhe korrupsionit, japim rekomandime për përmirësim dhe e gjithë kjo ndikon në përmirësimin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies publike”, ka deklaruar Spanca, duke shtuar se përgjatë viteve ZKA-ja ka ndikuar në përmirësimin e raportimit dhe llogaridhënies të institucioneve që janë audituar.
Auditorja e Përgjithshme foli edhe për trajtimin e gjetjeve të auditimit nga institucionet e drejtësisë, duke treguar se ZKA-ja bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e drejtësisë konform standardeve dhe praktikave më të mira.
Ndonëse vetëm për vitin 2022 janë dërguar në prokurori 51 raste për hetim të mëtutjeshëm, sfidë mbetet informata kthyese nga organet e drejtësisë lidhur me përfundimin e rasteve për të cilat ZKA-ja dërgon informacione.
Spanca theksoi se administrata publike në përgjithësi ka përmirësuar llogaridhënien dhe ka rritur nivelin e transparencës, në veçanti në aspektin e menaxhimit të parasë publike, kjo falë investimeve në përmirësimin e sistemeve, si atyre të menaxhimit financiar dhe kontrolleve.