Auditorja e Përgjithshme: ZKA do të vazhdojë të mbështesë barazinë dhe transparencën për një administratë më gjithëpërfshirëse

10 mars 2025 | 18:45

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku u prezantua Rrjeti i Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe Institucione të Pavarura, një iniciativë e rëndësishme që synon fuqizimin e grave në pozita udhëheqëse dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin publik.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, Drejtoresha e ABGJ-së, Edi Gusia, si dhe gra lidere nga administrata publike.

Gjatë fjalës së saj, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në nivelet e larta të vendimmarrjes, duke nënvizuar se kjo nuk është çështje favori, por e drejtë e natyrshme që bazohet në meritë dhe aftësi.

Znj. Spanca tha se Rrjeti i Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe Institucione të Pavarura do të shërbejë si një mekanizëm mbështetës për gratë lidere, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim për të rritur pjesëmarrjen dhe ndikimin e tyre në vendimmarrje.

Duke folur nga perspektiva e auditimit, ajo vlerësoi se Institucionet Supreme të Auditimit siç është Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), kanë një rol kyç në promovimin e barazisë gjinore përmes transparencës dhe llogaridhënies. Znj. Spanca tregoi se mbi 50% e stafit të ZKA-së janë gra, të cilat udhëheqin sektorë të rëndësishëm. Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e parimeve të barazisë dhe transparencës, duke kontribuar kësisoj në krijimin e një administrate më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior…