Australia ia anulon vizën Gjokoviqit
Tenistit numër një në botë, Novak Gjokoviq i është ndaluar hyrja në Australi për shkak të një problemi me vizën e tij.
Tenisti serb arriti në Melburn të mërkurën, kur autoritetet vërejtën një gabim në aplikimin e tij për vizë.
Gjokoviq ishte paraparë të luante në Grand Slam-in e parë për këtë vit në Australian Open, pasi u përjashtua nga rregulli për vaksinim kundër koronavirusit.
Ky përjashtim e lejon atë që të luajë në këtë turne, pavarësisht statusit të tij të vaksinimit, që nuk është bërë publik.
Mediat australiane kanë raportuar se ekipi i Gjokoviqit ka aplikuar për një vizë tjetër, dhe jo për një vizë që i lejonte këtë përjashtim mjekësor. Sipas babait të tij, Sërxhan Gjokoviq, tenisti po mbahet në një dhomë të aeroportit “ku askush nuk mund të hyjë” dhe po ruhet nga dy policë.
Novak Gjokoviq do të largohet nga Australia të enjten, por avokatët e tij mund ta apelojnë vendimin, raportuan mediat australiane.