Australia po e tejkalon Britaninë si destinacion për studentët
Australia është duke tejkaluar Britaninë e Madhe si destinacioni i dytë më i madh në botë për studentët ndërkombëtarë, thuhet në një hulumtim që ka bërë Kolegji Universitar i Londrës.
Studiuesit nga Qendra për Edukimin e Lartë Global, në kuadër të këtij kolegji, ka thënë se Britaninë po zbret në vendin e tretë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Australisë.
Në Australi po rritet me shpejtësi numri i studentëve ndërkombëtarë, thuhet në studim.
“Tre vjet më parë, Britania e Madhe ka tërhequr rreth 130 mijë studentë ndërkombëtarë më shumë se Australia. Por, në vitet pasuese, në Australi, numri i studentëve ndërkombëtarë është rritur për 12 deri në 14 për qind, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, rritja ka qenë shumë më e ngadalshme”, ka thënë profesori Simon Marginson, autor i studimit.
Këshilli Britanik, organizatë e specializuar në mundësitë ndërkombëtare kulturore dhe arsimore, ka theksuar se studimi tregon se Britania e Madhe duhet t’i rishikojë politikat e saj ndaj studentëve të huaj.