Austria dëbon katër diplomatë rusë
Një zëdhënëse e ministrit të Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, ka njoftuar të enjten se katër diplomatë rusë janë detyruar të largohen nga shtetit për shkak të sjelljes së tyre në kundërshtim të statusit diplomatik.
Austria është shteti i fundit në mesin e shumë shteteve të Bashkimit Evropian që kanë marrë vendime të ngjashme gjatë kësaj jave.
Për dallim nga shtetet e tjera të BE-së, përfshirë Francën, Italinë dhe Gjermaninë, Austria nuk tregoi nëse ky vendim ishte për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës dhe mizorive të pretenduara ruse në Ukrainë.
Austria ka thënë se diplomatët e Ambasadës ruse në Salsburg duhet të largohen nga shteti deri më 12 prill.
Shtetet e BE-së kanë dëbuar diplomatë rusë pas dënimit ndërkombëtar të mizorive që pretendohet se forcat ruse kanë kryer ndaj civilëve ukrainas në Buça, në veri të Kievit.
Nga Buça janë publikuar fotografi të civilëve të vrarë të shtrirë në rrugë, ku disa prej tyre kishin edhe duart e lidhura pas shpine.
Rusia ka mohuar se trupat e saj kanë kryer këto vrasje dhe që prej fillimit të pushtimit, më 24 shkurt, mohon se shënjestron civilët.