Austria dëbon katër diplomatë rusë
Ministria e Jashtme e Austrisë ka bërë me dije të enjten se ka dëbuar katër diplomatë rusë për veprime që bien ndesh me statusin e tyre diplomatik.
Ministria ka thënë se diplomatët duhet të largohen nga vendi deri më 8 shkurt.
Ministria austriake ka thënë në një deklaratë se dy diplomatë punonin në Ambasadën ruse, ndërsa dy të tjerët ishin anëtarë të misionit rus në Kombet e Bashkuara në Vjenë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Deri tani nuk ka pasur reagim nga Moska.
Në prill të vitit 2022, Austria kishte dëbuar gjithashtu katër diplomatë tjerë rusë me arsyetimin e njejtë.
Deri tani, shumë shtete të BE-së kanë dëbuar diplomatë rusë pas dënimit ndërkombëtar të mizorive që pretendohet se forcat ruse kanë kryer ndaj civilëve ukrainas.
Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e 12-të.