Austria dënon vendimin e Putinit për armët bërthamore
Vjena zyrtare dënoi ashpër vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të vënë në gjendje të posaçme gatishmërie luftarake forcat parandaluese ruse, ku përfshihen edhe armët bërthamore.
Ministri i Jashtëm Alexander Schalenberg vuri në dukje se Putini duhet ta di se kjo rrugë “në fakt të çon në fund”. Ai kujtoi se armët bërthamore çojnë në shkatërrim të ndërsjellë dhe se nuk ka arsye për një vendim të tillë.
Schalenberg vuri në dukje se Austria gjithmonë ka mbrojtur heqjen e armëve bërthamore, të cilat nuk duhet të përdoren kurrë, dhe shtoi se kushdo që zotëron ato armë e di se nuk ka kthim prapa dhe se përdorimi i tyre fillon një luftë botërore bërthamore.
Kancelari austriak Karl Nehammer, për shkak të ngritjes së gatishmërisë së njësive ruse, ka thirrur për nesër një seancë të re të Kabinetit të Krizave, ku do të analizohen serish kërcënimet ndaj Austrisë me situatën e re./ KP