Austria do të dërgojë rreth 200 ushtarë në Kosovë

06 prill 2024 | 11:45

Austria në prill pritet të dërgojë rreth 200 ushtarë në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s, KFOR-it.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Austrisë përmes një komunikate për media.

Për dërgimin e ushtarakëve austriak në Kosovë, është deklaruar edhe ministrja e Mbrotjes, Klaudia Tanner.

Sipas saj Austria është e përkushtuar të marrë pjesë në mënyrë aktive në tejkalimin e krizave dhe sigurimin e paqes përmes operacioneve ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja në operacionet e paqes ndërkombëtare është prioritet i lartë për Ushtrinë e Austrisë. Ushtarët austriakë gjithmonë e kanë dëshmuar veten si partnerë të besueshëm në Kosovë dhe jam i kënaqur që ky kurs po vazhdon”, ka potencuar ajo.

Austria ka dërguar ushtarakë në Kosovë në kuadër të KFOR-it që nga 2 korriku i vitit 1999.

NATO shtoi numrin e ushtarëve për shkak të situatës së paqëndrueshme në Veri të Kosovës sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Bullgaria dhe Gjermania së fundmi paralajmëruan dislokimin e kontingjentëve shtesë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Mbretëria e Bashkuar dislokoi rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit prej 400 trupash, ndërsa Rumania dislokoi rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu mori vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR.

Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia rriti numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s në vend.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) u vendos në Kosovë.

Turqia po ashtu dislokoi një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Zvicra paralajmëroi gjithashtu se do ta rrisë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënë do të realizojë…