Austria mban zgjedhje të jashtëzakonshme
Në Austri po mbahen zgjedhjet të jashtëzakonshme, pasi në muajin maj, koalicioni qeverisës u rrëzua, për shkak të publikimit të një skandali të korrupsionit.
Sondazhet sugjerojnë se Partia Popullore e ish-kancelarit, Sebastian Kurz do të dalë e para në këto zgjedhje, por do t’i duhet të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër.
Partia Socialdemokrate, Partia për Lirinë e ekstremit të djathtë, Të Gjelbrit dhe liberalët po ashtu garojnë në këto zgjedhje.
Vendvotimet u hapën në mbarë vendin në ora 7:00 dhe votimet pritet të përfundojnë në ora 17:00.
Zgjedhjet në Austri vijnë pas publikimit të një video-incizimi, ku shfaqej zëvendëskancelari i shtetit, Heinz-Christian Strache, duke i ofruar kontrata qeveritare një gruaje, e cila thotë se është një investitore nga Rusia, në këmbim të donacioneve politike.
Straches më pas ka dhënë dorëheqje dhe ka pranuar se sjellja e tij ishte “e papërgjegjshme”.