Gashi: Austria ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën gjatë Presidencës së BE-së
Zëvendëskryeministri, Dardan Gashi, ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, të cilin e njoftoi për takimet në Bruksel javën e kaluar dhe për çështje të tjera që lidhen me marrëdhëniet mes dy shteteve.
Republika e Austrisë, e cila mban presidencën e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm, pritet të jetë mbështetëse e Kosovës, si një vend mik, në proceset vendimmarrëse, nëpër të cilat vendi ynë do të kalojë.
“E informova ambasadorin Pfandler për takimet në Bruksel, duke theksuar vendosmërinë e institucioneve për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe përfshirjen e opozitës kosovare në këtë dialog. Njëkohësisht, duke pasur parasysh faktin që Austria mban kryesimin e radhës të BE-së, shpreha bindjen që si shtet mik do ta mbështetë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe proceseve të tjera integruese”, ka thënë zëvendëskryeministri Gashi.
Ndërkaq ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ka theksuar se Austria do t’i asistojë Kosovës në të gjitha proceset gjatë presidencës.
Po ashtu ambasadori Pfandler ka premtuar angazhim për zgjidhjen e çështjes së kartonit të gjelbër për qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e diasporës.
Në takim u diskutua edhe për forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve, veçanërisht për projektet investive që pritet të vinë nga Austria në fushën e energjisë.
/Epoka e re/