“Auto Mita” dhe “Galvazing” certifikohen si operatorë ekonomikë të autorizuar
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka ndarë certifikatat për dy kompanitë kosovare “Auto Mita” dhe “Galvazing” të certifikuara si Operator Ekonomik i Autorizuar (OEA).
Me këtë rast, Berisha ka deklaruar se Kosova është ndër vendet e para në rajon që ka autorizuar bizneset me standarde evropiane.
Sipas tij, kompanitë e verifikuara do të kenë lehtësira tregtare dhe zhdoganim.
“Në emër të Doganës shpreh falënderim për Bankën Botërore dhe GIZ-in gjerman. Ne jemi shumë të lumtur që kemi dy kompanitë e para që po autorizohen me koncept evropian e botëror, dhe kjo tregon që institucionet e Kosovës kanë arritur të kenë standardet e larta evropiane por edhe bizneset”, ka thënë Berisha, duke shtuar se në aspektin regjional nuk ka shumë kompani që i kanë përmbushur këto standarde dhe të cilat kanë marrë këtë status, andaj sipas tij Kosova është ndër vendet e para. “Dogana i jep lehtësira maksimale bizneseve. Shpresojmë të vazhdojmë edhe me kompanitë e tjera”, ka thënë Berisha.
Kurse, koordinatori i projektit, Ibrahim Xhakaj, ka thënë se kompanitë përveç lehtësirave doganore do të kenë edhe benefite tjera.
“Dogana e Kosovës ka kompletuar bazën ligjoren për operatorë ekonomikë. Programi është në funksion dhe jemi në përgatitje të certifikatave tjera. Dogana e Kosovës është në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe hyn në kuadër të lehtësirave tregtare. Këto kompani tani janë në partneritet të ngushtë me Doganën dhe do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat tregtare doganore dhe zhdoganim. Ne do të vazhdojmë edhe me tutje, përveç përfitimeve doganore do të kemi edhe përfitime të tjera”, u shpreh ai.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Mimoza Miftari, ka thënë se kompanive do t’iu zvogëlohet koha dhe kostoja gjatë procesit të importit dhe eksportit. “Grupi i Bankës Botërore ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm qysh nga viti 2017. Programi për lehtësirat e tregtisë mbështet vendet për të përmbushur obligimet që janë në marrëveshje. Duke zvogëluar kohën dhe koston në procesin e eksportit dhe importit”, ka thënë pos tjerash ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesja e GIZ-it, gjerman, Tanja Boshkovic, ka thënë se do të vazhdojnë edhe me tutje të mbështesin projekte të tilla.
“Falënderoj gjithëve juve dhe ju përgëzoj për punën. Falënderoj Kosovën për punën e bërë deri me tani. Ne jemi të gatshëm të insistojmë edhe me tutje. Ne do të jemi të hapur në çdo kohë për ti përkrahur iniciativat e juaja. Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen për bashkëpunimet tona, urime për projektin”, u shpreh ajo.