Autobusi me nxënës serbë nga Kosova aksidentohet afër Kralevës
Një autobus me nxënës serbë nga Kosova, që po udhëtonin drejt Serbisë për një fundjavë, ka pësuar një aksident të rëndë trafiku në Kralevë, Serbi.
Aksidenti ndodhi kur autobusi që transportonte nxënësit u përplas me një automjet tjetër, duke lënë disa nxënës të lënduar. Shoferi i automjetit tjetër ka pësuar lëndime të rënda.
Rreth 300 nxënës nga komunat e Novobërdës, Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës, ishin në një udhëtim për fundjavë dhe ishin akomoduar në Hotelin “Braća Sekulić” në Zlatibor, një destinacion popullor në Serbi.
Sipas disa raportimeve të pakonfirmuara, disa vizita të nxënësve serbë të Kosovës po financohen nga Milan Radojičić, i cili udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë dhe tani po strehohet në Serbi.
Ndërsa udhëtimi u promovua si një gjest humanitar për t’u dhënë një pushim nxënësve të komunitetit serb në Kosovë, ai gjithashtu ngriti shqetësime për kontrollin në rritje të Radojičić mbi këtë komunitet përmes donacioneve të tilla.(eo)