Automjetet e paregjistruara shkaktuan mbi 4 000 aksidente
Rritja enorme e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë është duke i shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit por edhe kompanive të sigurimeve që operojnë në tregun kosovar. Ndërkaq si rezultat i numrit të automjeteve të paregjistruara u shkaktuan mbi 4 000 aksidente, duke lënë të vdekur kështu mbi 100 persona.
Ky ishte konkludim i përbashkët i pjesëmarrëseve në tryezën e organizuar nga “Shoqata e Sigurimeve e Kosovës”, në të cilën morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Izmi Zeka, zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi, ushtruesja e drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve nga Banka Qendrore e Kosovës, Ramize Ramadani, drejtoresha e Drejtoratit për Regjistrimin e Automjeteve – ARC, Sebahate Muharremi, nga Policia e Kosovës Feriz Lahu, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkolli, kryetari i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Besarb Blakaj, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, përfaqësues të kompanive të sigurimeve, por edhe zyrtarë nga shoqëria civile.
“Të dhënat e prezantuara rreth numrit të automjeteve të paregjistruara në raport me vitin paraprak kanë shqetësuar tejmase pjesëmarrësit në këtë tryezë. Në raport me vitin paraprak, sivjet janë 109 mijë vetura më pak të regjistruara”, është thënë në komunikatën për medie të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.
Sipas kësaj komunikate, po ashtu, gjatë tryezës u prezantuan edhe të dhëna të sakta rreth humbjeve të mëdha që po i shkaktojnë buxhetit të shtetit, por edhe Industrisë së Sigurimeve mosregjistrimi dhe mossigurimi i automjeteve nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2017 Policia ka shqiptuar mbi 12 mijë tiketa për automjetet që janë hasur në rrugë pa qenë të regjistruara.
Po ashtu, të njëjtat automjete kanë shkaktuar mbi 4 000 aksidente, ku dhe numri i të vdekurve që janë evidentuar nga aksidentet që kanë shkaktuar këto vetura është mbi 100 persona.
Gjatë tryezës të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar që në ditët në vijim të gjitha palët që janë të përfshira në këtë proces do ta nënshkruajnë një dokument të përbashkët sipas të cilit të gjitha palët e përfshira në këtë proces do të marrin përgjegjësitë e tyre për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve konkrete për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara e të pasiguruara në komunikacion rrugor.
/Epoka e re/