Autonomia e vendimeve përballë fleksibilitetit

24 janar 2020 | 18:33

 

 

Ata që e njohin mirë vokabularin diplomatik dhe sjelljen politike, kanë mundur të vërejnë se Ambasadori, Richard Grenell, qëllimisht nuk foli para mediave për Qeverinë e re e cila duhet të formohet nga LVV dhe LDK. Ai tha se nuk erdhi në Kosovë për t’u përzier në debatin politik, por për zhvillim ekonomik. Në gjuhën diplomatike ky mesazh i koduar nënkupton dioptrinë e këndvështrimit amerikan mbi zhvillimet aktuale, ku ekonomia përmendet jorastësisht për të nxitur palët të tejkalojnë sa më parë mospajtimet rreth formimit të kabinetit të ri qeverisës

Nga Mehmet PRISHTINA

Deri në ç’masë politikanët e Kosovës mund të jenë autonom në vendimet e tyre dhe sa ato vendime mund të lëndojnë raportet me aleatët, sidomos me SHBA-të?

Ka shumë vlerë politika që bazohet në autenticitetin e vendimmarrjes, por me një kusht që një politikë e tillë të mos i prish raportet strategjike me ata që kanë qenë sponzorizuesit e lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, ka thënë Grenell.

Një qëndrim kaq i prerë i një diplomati të rangut të lartë amerikan vjen pas disa tentativave që të vijë deri te një shtendosje e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për arritjen e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve.

Ky qëndrim decid amerikan e ka vënë para një sprove të rëndë klasën politike të Kosovës, e cila duhet t’i merr shumë seriozisht sugjerimet që vijnë nga përtej Atlantikut. Fleksibiliteti që duhet të vijë në shprehje, gjithsesi është shumë më produktiv se çfarëdo lloj qëndrimi populist dhe Kosova tani nuk e ka luksin të paguaj tagrin e politikave të pastudiuara deri në fund.

Kjo është një fazë mjaft kritike për Kosovën, sepse vonesa në formimin Qeverisë së re ka filluar të bëhet pjesë e preokupimit të çdo qytetari, sidomos të atyre që janë të varur drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Vonesat në formimin e Qeverisë, pritet të shkaktojnë probleme buxhetore dhe në ë rast që nuk formohet qeveria e re, me 1 mars nuk do të mund të realizohet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat e punonjësve shtetërorë.

Ata që e njohin mirë vokabularin diplomatik dhe sjelljen politike, kanë mundur të vërejnë se Ambasadori, Richard Grenell, qëllimisht nuk foli para mediave për Qeverinë e re e cila duhet të formohet nga LVV dhe LDK. Ai tha se nuk erdhi në Kosovë për t’u përzier në debatin politik, por për zhvillim ekonomik. Në gjuhën diplomatike ky mesazh i koduar nënkupton dioptrinë e këndvështrimit amerikan mbi zhvillimet aktuale, ku ekonomia përmendet jorastësisht për të nxitur palët të tejkalojnë sa më parë mospajtimet rreth formimit të kabinetit të ri qeverisës. Miku i shqiptarëve, Richard Grenell, tërthorazi po iu thotë politikanëve të Kosovës se betejat e juaja të pakuptimta për ndarjen e posteve ministrore nuk kanë kurrfarë vlere në krahasim me sfidat që ju presin, ku zhvillimi ekonomik është një nga prioritet kryesore të institucioneve kosovare.

Tash e në të ardhmen Prishtina zyrtare duhet të mbajë llogari dy faktorë të rëndësishme që e përcaktojnë politikbërjen e saj.

E para – çdo vendim në Prishtinë që ka të bëjë me kontekstin e pazgjidhur me Serbinë, nuk mund ta ketë fuqinë e veprimit nëse nuk është i mbështetur mbi parimet e partneritetit strategjik me Uashingtonin.

E dyta – zgjidhja sa më e shpejt e kontestit me Serbinë e përshpejton procesin e rimëkëmbjes ekonomike e sociale të Kosovës.

Marrë në tërësi, Kosova nuk ka kohë për të humbur, aq më pak për të harxhuar kredinë morale që e ka nga Amerika, e cila si në kohë krizash, ashtu edhe tash në kohë paqe, mban qëndrim parimor kundrejt interesave tona vitale. Formimi i ushtrisë së Kosovës që ndodhi vitin e kaluar ishte një sinal i qartë se kredia morale e Uashingtionit ende është një infuzion i fuqishëm i shtetndërtimit të Kosovës.

Por, si çdo gjë që mund të harxhohet, edhe kjo kredi mund t’iu humb bë duar atyre që nuk dinë ta trajtojnë drejt qëndrimin miqësor amerikan. Qeveria e re që duhet të formohet shpejt, duhet të jetë një model i mirë i nikoqirllëkut me këtë kredi morale, sepse ajo mund të zhvillojë politika mjaft produktive duke mësuar edhe nga pësimet e qeverive të kaluara.

Prishtinë, 24 janar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
25.01.2020 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…