Autoritetet boshnjake thonë se “nuk janë në dijeni” për iniciativën e Kosovës për të udhëtuar me letërnjoftim

14 korrik 2022 | 23:55

Iniciativa e Kosovës për udhëtim me letërnjoftim në Bosnje, autoritetet boshnjake thonë se “nuk janë në dijeni”

Nisma e iniciuar nga kabineti qeveritar i Kurtit për lëvizje me leternjoftim të qytetarëve të Kosovës me shtetet e rajonit, përfshirë këtu edhe Bosnje e Hercegovinën, ka mbetur në sirtarin e premtimeve. Madje, autoritetet boshnjake kanë thënë se “nuk kanë njohuri për një nismë të këtillë”.

Kabineti qeveritar i Kosovës vitin e kaluar pati miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve.

Marrëveshja në fjalë parashihte t’ua mundësonte qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnjë dhe Hercegovinës që të hyjnë në territoret e njëra-tjetrës me letërnjoftime biometrike për një periudhë të caktuar.

Për këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës, por të njëjtit kanë thënë se nuk janë në dijeni për një iniciativë të këtillë.

“Lidhur me e-mailin tuaj në të cilin përmendet iniciativa për udhëtim të ndërsjellë ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, me letërnjoftime, ju njoftojmë se nuk kemi informacion për diçka të tillë”, kanë bërë të ditur nga MPB-ja boshnjake.

Mediumi ka dërguar pyetje edhe në adresë të MPB-së së Kosovës, por ky institucion nuk ka ofruar përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Për çështjen e lëvizjes lirshëm vetëm me dokument personal mes qytetarëve të dy vendeve këtë vit pati raportuar mediumi boshnjak ‘Oslobodenje’, ku kryeredaktorja e këtij mediumi, Vildana Selimbegoviq, e pati akuzuar presidenten Vjosa Osmani për bllokim të largimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjës.

“…Por ajo që është më e rëndësishme këtu është ajo që Osmani heshti. Dhe kjo sepse ishte qeveria e saj ajo që theu marrëveshjen rajonale për lirinë e udhëtimit me letërnjoftime, e cila duhej të zgjidhte këtë çështje – të çonte në heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe BeH”, thuhej në artikullin e ‘Oslobodenje’.

“Për t’i bërë gjërat edhe më cinike, qeveria aktuale e Kosovës ka refuzuar kërkesat e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron dhe mbarë komunitetit ndërkombëtar për të rënë dakord për marrëveshjen rajonale, e cila do të nënshkruhej korrikun e kaluar në kryesimin gjerman nën Samitin e Berlinit”, vijohej më tej.

Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftim biometrik në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë…