Autoritetet britanike: Nuk ka nevojë për një dozë të katërt të vaksinës kundër Covidit
Doza përforcuese e vaksinës COVID-19 u siguron të moshuarve një nivel të lartë mbrojtjeje kundër një forme të rëndë të sëmundjes të shkaktuar nga varianti Omicron, kështu që nuk ka nevojë për një dozë të katërt, thanë zyrtarët britanikë të shëndetësisë.
Rreth tre muaj pas dozës së tretë të vaksinës, rezultoi se mbi 95 për qind e personave mbi moshën 65 vjeçare nuk kanë kërkuar ndihmë në spitale, njoftoi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), raporton bbc.
“Të dhënat aktuale tregojnë se doza përforcuese vazhdon të sigurojë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda, madje edhe për grupmoshat më të cenueshme”, tha në një deklaratë Wei Shen Lim, kryetar i nënkomitetit të COVID-19 të Komitetit të Përbashkët të Qeverisë për Vaksinimin dhe Imunizimin.
Prandaj, komiteti arriti në përfundimin se nuk ishte e nevojshme të “futej një dozë e dytë përforcuese” tha Wei Shen Lim.
Mbrojtja kundër një forme të lehtë të sëmundjes është më e shkurtër se mbrojtja kundër një forme të rëndë të sëmundjes dhe ka rënë në rreth 30 për qind pas rreth tre muajsh.