Autoritetet e Kosovës mbyllin institucione serbe, prokuroria thotë se s’i autorizoi bastisjet
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komunat paralele të Serbisë, posta e zyra tatimore e saj në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar, në anën tjetër, se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën ato, pasi, siç tha, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Aksionet policore janë ndërmarrë në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë-Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.
“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Sveçla në rrjetet sociale.
Në videon e publikuar nga ai është parë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe kanë nisur mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe është në mes të fushatës elektorale.
Lisa Serbe – partia më e madhe e serbëve në vend – paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.
A mund të veprohet pa urdhër të prokurorit?
Ehat Miftaraj, nga Instituti joqeveritar i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Policia e Kosovës nuk mund të kryejë veprime si ato të sotmet pa urdhër të prokurorit kompetent.
“Policia mund të arrestojë apo kontrollojë vetëm në rastet kur kryhet një krim flagrant (si vjedhje, grabitje etj.) dhe njoftohet. Por, edhe në këtë rast, në një fazë, prokurori do të njoftohet dhe do të ftohet në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.
Miftaraj ka theksuar se “në një shoqëri demokratike të qeverisur nga ligji, veprimi i sotëm do të nënkuptonte pasoja juridike për ata që e iniciuan atë”.
Në rastet e mëparshme që kishin të bënin me mbylljen e institucioneve serbe në veri të Kosovës, policia ka njoftuar se prokurori përgjegjës e kishte cilësuar rastin si “falsifikim dokumentesh”.
Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq, ka thënë se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.
“Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit (kryeministër i Kosovës), i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, ka thënë Vuçeviqi.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e ka cilësuar aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, ka shkruar Gjuriq në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ndodhej në Bruksel, ku do të duhej të mbahej takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit, ka thënë se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.
“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u ka thënë ai gazetarëve në Bruksel.
I pyetur nëse është mbajtur takimi për të pagjeturit, Petkoviqi ka thënë: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.
Ai ka thënë se nga mbyllja e institucioneve serbe të mërkurën, mbi 1 100 njerëz kanë mbetur pa punë, por ka theksuar se i siguron ata që Serbia do të vazhdojë t’i paguajë.
“Radio Evropa e Lirë” ka raportuar më herët se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e “Radios Evropa e Lirë”, kanë raportuar se, aktualisht, zyrtarë të policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e tyre janë duke u larguar nga objektet.
Policia e Kosovës ka thënë se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk konfirmoi se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.
“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, është thënë në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “REL”-in.
Degë të tjera të Postës së Serbisë ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar.
Ky veprim u kritikua nga BE-ja dhe ShBA-ja, që atëkohë u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” dhe e cilësuan aksionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Edhe shumë institucione të tjera serbe u mbyllën në aksione të ngjashme të Policisë së Kosovës vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti.
Megjithatë, “Radio Evropa e Lirë”, ka raportuar së voni se puna e tyre vazhdon, përkundër mbylljes.
Aksioni, “fushatë parazgjedhore e Vetëvendosjes”
Politologu serb, Ognjen Gogiq, ka thënë se aksionin e mbylljes së institucioneve serbe në zonat në jug të lumit Ibër, e sheh si “fushatë parazgjedhore” të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Aksioni u shoqërua me videoklip të ministrit Sveçla, në të cilin thotë se ka marrë fund prania e Serbisë në Kosovë… sipas tij, një prani paralele dhe ilegale. Ata nuk mund të tregojnë asgjë tjetër si rezultat, kështu që kjo [mbyllja e institucioneve serbe] është pjesë e fushatës së tyre”, ka thënë Gogiq për “Radion Evropa e Lirë”.
Ai ka thënë se partia në pushtet “po e instrumentalizon politikisht edhe Policinë e Kosovës, për të bërë fushatë”.
Mbylljen e pothuajse të gjitha institucioneve serbe në jug të Ibrit, Gogiq e ka lidhur edhe me ardhjen në pushtet të administratës së re amerikane. Autoritetet e Kosovës duan që “t’i kryejnë veprimet e tilla para se Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë”, sipas tij.
Gogiqi ka theksuar se institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të shfuqizohen derisa Beogradi zyrtar ta vendosë një gjë të tillë, por nuk e përjashton mundësinë që punonjësit e tyre të ndiqen penalisht.
Në korrik të vitit 2024, Prokuroria e Ferizajt mori në pyetje punonjës të autoritetit të përkohshëm komunal të Shtërpcës, nën dyshimet për “rrënim të rendit kushtetues të Kosovës”.
Përfaqësues të shoqërisë civile i thanë më herët “Radios Evropa e Lirë” se punëtorë të tjerë në institucionet e financuara nga buxheti i Serbisë, mund të përballen tani me akuza të njëjta.
Cilat institucione u mbyllën?
Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë.