Autoritetet e Kosovës në Zvicër i ofrojnë mbështetje familjes së 7 vjeçarit të therur për vdekje
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), ka njoftuar se Ambasada e vendit tonë në Bernë dhe Konsullata në Cyrih, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në lidhje me rastin tragjik të vrasjes në Bazel të një 7 vjeçari me prejardhje nga Kosova, nga një e moshuar, shtetase zvicerane.
Sipas njoftimit të MPJ-së, personeli konsullor i Cyrihut ka vizituar qendrën policore në Bazel, e cila është duke u marrë me rastin ndërkaq ka vizituar edhe familjen e të riut, ku i kanë shprehur pikëllimin e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
“Deri më tani, bazuar në informatat preliminare të komunikuara nga autoritetet policore në lidhje me këtë vrasje makabre, është bërë e ditur se autorja e krimit ka dhënë një version fillestar në lidhje me aktin kriminal, ku për pasojë humbi jetën i riu, I. M”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, familjarët janë siguruar se Konsullata e Kosovës do të jetë në gatishmëri të plotë dhe të vazhdueshme që të ofrojë çfarëdo përkrahje në këto momente të vështira për familjen.
“Konsullata në Cyrih, në kuadër të fushëveprimit të saj, është udhëzuar që të mbajë komunikim të ngushtë me autoritetet policore dhe të drejtësisë në lidhje me rastin”, thekson MPJ në njoftimin për media.
Të enjten në mesditë, në Bazel, u ther për vdekje nga një grua 75 vjeçare djaloshi 7 vjeçar, Iljas Mahmuti, me prejardhje nga Lipjani.