Autoritetet e Serbisë ndalojnë në Merdare Nebojsa Jakovljeviq, reagon Haradinaj
Autoritetet e Serbisë kanë ndaluar në Merdare, Nebojsa Jakovljeviq.
Jakovljeviq është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Ramush Haradinaj.
“Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm. Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.
“Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm. Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta”, ka shkruar Haradinaj.