Autoriteti i Konkurrencës: Ka sinjale për abuzime në tregun farmaceutik
Pas hetimit te tregu i shërbimeve spitalore, Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri do të kontrollojë edhe tregun farmaceutik në vend. Kështu ka thënë kryetarja e këtij autoriteti, Juliana Latifi.
Në Shqipëri çmimet e barnave janë të kontrolluara dhe të përcaktuara me vendim qeverie, por hapësirat për shfrytëzimin e pozitës dominuese janë të mëdha. Në Shqipëri llogaritet të ketë një treg barnash prej rreth 250 milionë euro në vit, pjesa me e madhe rreth 90% përbëhet nga importet, ndërkohë që mjaft medikamete shiten si eksluzivitet kompanish, shkruan “TCh”. Kjo situatë mund të ketë çuar në dëmtimin e konsumatorëve përmes vendosjes së çmimeve abuzive, gjithsesi mbetet për t’u parë nga rezultati i hetimit. Tregje të tjera që janë vënë në lupën e autoritetet të konkurrencës janë ai bankar dhe arsimi i lartë.
Vitin e kaluar Autoriteti i Konkurrencës ka arkëtuar të gjitha gjobat e vendosura, vlera e të cilave shkon në mbi 2 milionë euro.