Autostrada e Dukagjinit do të vazhdojë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë ka qartësuar të gjitha hollësitë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), edhe pse janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatarin e qeverisë së re.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se e mirëpresin çfarëdo vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Ish-ministri i Infrastrukturës theksoi se në këtë qeveri do të ketë ndërtime të autostradave pavarësisht prej dallimeve që kanë me LDK-në për këto projekte.
Ai ka thënë se janë marrë vesh që autostrada e Dukagjinit të përfundojë në këtë qeverisje, ndonëse ky projekt u ndërpre nga qeveria në detyrë, përkatësisht ministri Lumir Abdixhiku që vjen nga LDK-ja.
Lekaj ka folur edhe për ministritë e caktuara për qeverinë e re në ardhje, nga të cilat ka treguar se nuk ka pranuar që të jetë ministër në këtë mandat. Ai ka shtuar se AAK-ja do të ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe pozitën e zëvendëskryeministrit të parë.
(B. D.: ‘Epoka e re’)