Autostrada Prishtinë-Shkup pritet të hapet më 29 maj
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit sot në mbledhje ne qeverisë ka treguar se inaugurimi i autostradës Prishtinë-Shkup pritet të bëhet më 29 maj. Ndërsa, për përmbushjen e obligimeve të pagesave nga ministria, është bërë me dije se është duke u përgatitur një raport i cili do të prezantohet para kabinetit qeveritar shumë shpejt.
Në mbledhjen e se martës Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar udhëzimin administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.
Plotësim ndryshimet e udhëzimit rregullojnë mundësinë stimuluese të regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve për të siguruar pjesëmarrjen e barabartë të gruas dhe burrit në të drejtën e pronës së paluajtshme të përbashkët.
Kabineti qeveritar ka aprovuar nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare me Malin e Zi, Zvicrën dhe Francën për njohje reciproke të patentëshoferëve.
Miratimin e qeverisë e ka marrë edhe nisma për amendamentimin e marrëveshjes për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë.
Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit është bërë emërimi i zëvendësdrejtorit të shërbimeve operative në Agjencinë e Navigimit Ajror të Kosovës, Valimir Hylenaj për një mandat 5- vjeçar.
Kurse, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë financiare të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Mitrovicë, e cila po shkaktohet kryesisht nga mosrealizimi i inkasimit të të hyrave nga Mitrovica e Veriut.
/Epoka e re/