AUV-i ka një kërkesë për të gjithë ata që duan të therin kurban
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka apeluar që shitblerja e kafshëve për kurban të bëhet drejtpërsëdrejti nga ferma tek blerësi, shkaku i situatës me pandeminë.
Kjo agjenci ka theksuar se therja e kurbaneve është obligative të bëhet vetëm në thertoret e licencuara dhe të cilat janë nën mbikëqyrjen zyrtare të inspektorëve veterinarë.
“Kafsha e cila theret për konsum mbi të gjitha duhet të jetë e kontrolluar. Andaj në thertore kontrolli kryhet para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ku vlerësohet gjendja shëndetësore e kafshës dhe pas procesit të therjes, mishi ju nënshtrohet kontrollit veterinar për verifikimin e përshtatshmërisë si produkt ushqimor për konsum”, ka njoftuar AUV-i, raporton “Epoka e re”
Njoftimi i plotë i AUV-it:
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të besimit islam që me rastin e përmbushjes se ritit të therjes së kurbaneve, për shkak të situatës pandemike Covid-19, shitblerja e kafshëve për kurban të bëhet drejtpërsëdrejti nga ferma tek blerësi, për arsye se të gjitha lokacionet që kanë shërbyer si tregje të kafshëve janë të mbyllura dhe njëkohësisht nxjerrja e kafshëve në hapësira publike dhe grumbullimi i njerëzve është i ndaluar. Gjithashtu ju njoftojmë se, therja e kurbaneve është obligative të bëhet vetëm në thertoret e licencuara/aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të cilat janë nën mbikëqyrjen zyrtare të inspektorëve veterinarë.
Kafsha e cila theret për konsum mbi të gjitha duhet të jetë e kontrolluar. Andaj në thertore kontrolli kryhet para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ku vlerësohet gjendja shëndetësore e kafshës dhe pas procesit të therjes, mishi ju nënshtrohet kontrollit veterinar për verifikimin e përshtatshmërisë si produkt ushqimor për konsum. Kushtet teknike, sanitare dhe higjienike në thertoret e licencuara janë adekuate të cilat posedojnë ambient, temperatura dhe pajisje higjienik si kushte për therje të sigurta, ku pengojnë kontaminimin e mishit nga faktorë të ndryshëm.
Të gjithë personat fizik dhe juridik, të veprojnë në pajtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe vendimet e Qeverisë, për masat e parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19. Inkurajojmë të gjithë të përdorin masat mbrojtëse gjatë tregtimit prej fermës dhe në thertore. Po ashtu të sigurohen se, kafshët në ferma posedojnë numrin e matrikullit dhe dokumentet tjera, të cilat dëshmojnë mbi origjinën dhe gjendjen shëndetësore të kafshës. Në të gjithë vendin janë mbi 50 objekte të aprovuara për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për qytetaret tanë.
Si shoqëri, të tregojmë nivel të lartë të kulturës duke mos shfaqur imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësirat publike dhe çdo vend tjetër qe nuk është i destinuar për këtë aktivitet. Inspektoratet e nivelit qendror dhe atij lokal, së bashku me policinë do të monitorojnë respektimin e masave dhe ndaj të gjithë shkelësve do të iniciohen procedura konform dispozitave ligjore në fuqi.
Festoni sigurt dhe shëndetshëm!