AUV-i konfiskon ushqimet që ishin në kompleksin Rajska Banja në Zveçan
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është duke konfiskuar ushqimet që kanë qenë në Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit.
Këtë objekt dje e ka marrë nën kontroll Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me asistimin e Policisë së Kosovës.
Të mërkurën gjatë një konference për medie, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka thënë se pronare e kompleksit është AKP-ja, derisa ka shtuar “se dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj se është një mësim për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë”.
“Pronare e këtij kompleksi është Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Se dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj se është një mësim për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë”, ka thënë ai.
Sveçla ka folur edhe për menaxhimin e këtij kompleksi tash e tutje, ndërsa ka thënë se “destinimin final të këtij objekti do ta përcaktojmë ndërkohë”. /EO