AUV konfiskon 765 kilogramë mish që nuk i plotësuan kushtet për tregtim (Foto)

04 mars 2021 | 16:09

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarr një aksion në Prizren për largimin nga tregu të mishit dhe produkteve të mishit pa dokumentacion.

Zëdhenësi i AUV-së, Lamir Thaçi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se AUV ka konfiskuar 765 kilogramë mish që nuk i plotësuan kushtet për tregtim.

“Në një koordinim të plotë të inspektorëve veterinarë të AUV-së dhe inspektorëve lokalë të komunës së Prizrenit u inspektuan të gjitha mishtoret në këtë qytet. Në secilin rast ku inspektorët hasen në mish dhe produkte mishi pa dokumentacion, i njëjti u ndalua për qarkullim (konfiskua) dhe do të asgjësohet në ditët në vazhdim. Nga ky aksion ka rezultuar me konfiskim të një sasie prej 765 kg mish dhe nënprodukte mishi (mish i freskët, mish i ndarë mekanikisht, mish në faza të përpunimit, mish i bluar, suxhuk, qofte, etj) të cilat nuk i plotësonin kushtet për tregtim”, ka thënë Thaçi për “Epokën e re”.

No description available.

Ai ka thënë se kushtet teknike sanitare të mishtoreve në nivel të përgjithshëm ishin të mira.

“Në disa raste janë dhënë vërejtje për përmirësim brenda afateve kohore. Të gjitha mishtoret ishin të regjistruara pran AUV-së. Furnizimi me mish kryesisht ishte nga thertore të licencuara, posedonin dokumentacion për origjinën e mishit. Te një mishtore është hasur mish pa origjinë, pa dokumentacion, dhe e gjithë sasia është ndaluar për qarkullim deri në asgjësim. Sasitë tjera të nënprodukteve të mishit të ndaluara në mishtore tjera, kryesisht ishin për mungesë të licencës për përpunim të produkteve të cilat trajtohen termikisht. AUV në ditët në vazhdim do të bëjë asgjësimin e gjithë sasisë së ndaluar”, ka thënë ai.

No description available.

Thaçi ka paralajmëruar se aksione të tilla do të ketë në gjithë Kosovën, për largimin nga tregu të produkteve të cilat nuk i përmbushin kriteret ligjore për tregtim.

“Synim qendror i yni mbetet mbrojtja e konsumatorëve”, ka thënë ai.

(Albulena S. Mavraj / Epoka e re)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të premten do…