AUV ndalon importin e shpezëve nga zona e prekur me gripin e shpezëve në Shqipëri
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla nga zona e prekur me sëmundjen gripi i shpezëve H5N8 në Shqipëri.
“Duke u bazuar në raportin e Organizatës Ndërkombëtare për Epizooti me numër reference D381-1-1-22, për lajmërimin e paraqitjes se sëmundjes gripi i shpezëve – avianInfluenza tipi H5N8 në zonën e Durrësit në Shqipëri. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot, me datë 21.03.2022, nxjerrë vendim me nr.03/205/22 për masat e ndalesës se importit të shpezëve të gjalla nga zona qe është konfirmuar prezenca e sëmundjes. Vendimi është nxjerrë bazuar në Ligjin nr. 2004/21 për Veterinarinë dhe udhëzimin administrativ nr. 2005/24 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të Shpezëve ‘Gripi i Shpezëve’. Bazuar në vlerësim të situatës epizootiologjike paraqitjes se disa rasteve në shtetin fqinjë”, ka njoftuar AUV.
Ky institucion ka bërë me dije se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin e veterinarisë së Shqipërisë, për shkëmbim informatash lidhur me incidencën e mundësisë së përhapjes së kësaj sëmundje.
“Si autoritet me i lartë i veterinarisë në Republikën e Kosovës, me të gjitha kapacitete jemi të angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve parandaluese të përhapjes se sëmundjes në vendin tonë. Kontrolli veterinarë kufitar ngritët në nivel të mbikëqyrjes se detajuar të importeve të ngarkesave me shpezë”, ka njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.