AUV: Në Kosovë asnjëherë s’u importua mishi i prishur nga Belgjika
Në Belgjikë ka shpërthyer një skandal me mishin e kompanisë “VEVIBA”, e cila importonte edhe në Kosovë.
Sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaqi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë e ka njoftuar Belgjikën se kjo kompani bën keqpërdorime me shitjen e mishit.
Ai ka sqaruar se ngarkesa e parë e këtij mishi që kishte si destinacion Kosovën, nuk kishte arritur. Kjo pasi ata mish ishte ndaluar në kufi dhe ishte asgjësuar. “Shumica prej këtyre që kanë ndodhur janë spekulime për shkak se krejt ky zhvillim ka ndodhur prej autoriteteve kosovare dhe ne i kemi njoftuar Belgjikën që kjo kompani ka bërë falsifikim. Asgjësimi i atij mishi dhe ngarkesën e parë të mishit nga kjo kompani ne e kemi ndaluar në kufi dhe e kemi asgjësu. Kjo ka ndodhë në vitin 2016”, ka thënë Thaqi për “lajmi.net”.
Ai ka thënë se Belgjika kishte dërguar një inspektor në Kosovë, me të cilin i kishin bërë bashkërisht verifikimet. “Ne kemi njoftuar autoritetet belge që e kanë dërguar një inspektor në Kosovë, ne e kemi pritur inspektorin dhe në koordinim me neve e kemi bërë verifikimin bashkërisht. Por ndalimin dhe gjetjen e falsifikimit e kemi bërë ne, dhe kemi njoftuar Belgjikën. Pas njoftimit tonë, ata kanë marrë informatat dhe mishi është kthyer dhe pastaj ata kanë bërë hulumtime tjera të mishit”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Sipas tij, komapnia “VEVIBA” veç asaj dërgese që ishte asgjësuar, asnjëherë më nuk ka importuar mish në Kosovë.