Avancimi i radhës i specialistëve të FSK-së për kërkim-shpëtim malor, trajnohen në Itali
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se është duke vazhduar avancimi i shkathtësive profesionale të specialistëve nga FSK-ja, të kërkim-shpëtimit malor në Qendrën e Alpinizmit Ushtarak në Itali.
Mehaj ka treguar se në cilat fusha pjesëtarët e FSK-së kanë përforcuar dhe avancuar shkathtësitë e tyre.
“Gjatë trajnimit, specialistët tanë kanë avancuar shkathtësitë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurt, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara”, ka shkruar Mehaj.
Trajnimi është kryer në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë.