Avancohet bashkëpunimi Kosovë-Austri
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka nënshkruar të premten një memorandum mirëkuptimi me kompaninë austriake “Verpura GmbH” për të mbështetur kompanitë e vogla dhe të mesme (NVM), anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, “Verpura” do të ofrojë për dy vite zgjidhjen e tyre për menaxhimin e kompanive dhe trajnime dhe mbështetje teknike. “Për më tepër, në bashkëpunim edhe me kompaninë vendore Iron Consulting sh.p.k. do të shihen mundësitë për përkrahjen e kompanive të vogla dhe të mesme kosovare për të ndërtuar partneritet me kompanitë austriake”, është thënë në njoftimin e Odës Ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se është i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshje përmes së cilës kompanive të vogla dhe të mesme vendore u ofrohet pa pagesë qasje për të menaxhuar kompanitë sipas modeleve të avancuara austriake dhe për të përdorur teknologjinë informative. “Tash jemi në kohën digjitale dhe kompanitë në botë po e ndjekin trendin dhe këtij treni po i bashkohen edhe kompanitë vendore. Përkrahja e NVM-ve ka qenë prioritet i OEK-ut dhe ky projekt është edhe një investim në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Florian Gumpinger nga kompania “Verpura” ka thënë se është shumë i gëzuar që gjendet në Kosovë, tani si ndërmarrës.
Ai ka treguar se Kosovën e ka njohur fillimisht si ushtar i KFOR-it, ndërkaq thotë se tani ndihet i gëzuar pasi do ta ketë mundësinë të japë kontributin e vet modest në avancimin e efektivitetit të NVM-ve në Kosovë.
Ndërkaq Naim Huruglica nga “Iron Consulting” ka thënë se integrimi i NVM-ve kosovare në partneritet me kompani austriake dhe nga vende të tjera të BE-së është rruga më e shpejtë për të siguruar qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
Ky projekt do të mbështetet financiarisht nga Austrian Development Agency ADA nga Austria.