Avancohet edhe më tej bashkëpunimi i FSK-së me Ushtrinë Amerikane
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se është duke u avancuar edhe më tej bashkëpunimi i FSK-së me Ushtrinë Amerikane.
“Si rezultat i bashkëpunimit tonë të ngushtë me SHBA-në, respektivisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Ushtrinë Amerikane, përveç aktiviteteve tjera, tani kemi edhe angazhimin e oficerit tonë, major Vegim Krelanit, si oficerit planifikues për stërvitje në kuadër të Ushtrisë Amerikane për Europe dhe Afrike (USAREUR-AF) me bazë në Wiesbaden të Gjermanisë”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Përveç tjerash, ministri Mehaj ka theksuar se ky bashkëpunim është mundësi e jashtëzakonshme për FSK-në në funksion të avancimit të partneritetit dhe të ndërveprueshmërisë mes Ushtrisë sonë dhe Ushtrisë Amerikane edhe në nivel shtabor të planifikimit të stërvitjeve dhe operacioneve.
“Major Krelani si oficer profesionist i shkëlqyeshëm do të përfaqësoj denjësisht identitetin tonë shtetëror dhe ushtarak përkrah miqëve tanë, oficerëve të ushtrisë amerikane”, ka shkruar Mehaj.