Avdil Ibishi, punëtori me aftësi të kufizuara që pastron Gjilanin
I lidhur në një karrocë invalidësh që nga mosha 2 vjeçare, 55 vjecari nga qyteti i Gjilanit, Avdil Ibishi në një rrëfim për Front Online, flet për jetën e tij dhe sfidat që ai ka kaluar gjatë këtyre viteve për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“Nga mosha dy vjeç e gjysmë jam paralizuar sepse nuk kam qenë i vaksinuar kundër Poliomelitit. Sëmundje e cila tash më është shfaros. Tash e 53 vjet jam i lidhur me karrocë”, thotë Ibishi.
Ai ka treguar se pavarësisht situatës në të cilën gjendet për gjithë këto vite, ka pasur fatin të gjej një vend pune për të mbajtur familjen e tij.
“Jam i punësuar në ndërrmarjen “Tregu” në Komunën e Gjilanit. Prej vitit 2009 punoj në hapësirat publike që mirëmbahen në këtë qytet. Ka qenë një pilotprojekt, ku ndërmjetësues kanë qenë “Handikos” dhe Qendra për Punësim. Në atë kohë jam punësuar vetëm për periudhën tre mujore, por falë kolegëve të kompanisë, e kam pas përkrahjen e tyre qind për qind dhe kam vazhduar punën deri më tani”, është shprehur Ibishi.
“Unë jam adaptuar tash sepse në fillim ka qenë shumë e rëndë, edhe pse për një person me aftësi të kufizuara është mjaftë e vështirë, sepse kjo punë llogaritet punë fizike. Kjo gjë kërkon forcë dhe duhet angazhim në pastrimin e qytetit. Qasja ishte mjaftë e vështirë, por jam adaptuar”, ka rrëfyer Ibishi.
Gjilanasi me aftësi të kufizuara, Avdil Ibishi njihet si një person shumë pozitiv dhe i motivuar për punë. E motivin për këtë, ai thotë se e gjen në brendësinë e tij dhe besimin ne Zot.
“Besoj që Zoti ma ka dhënë këtë vullnet sepse me mërzia sjell vetëm sëmundje e nuk sjell asnjë begati. Më duhet me i dhënë vullnet vetës, cdo mëngjes që zgjohem, i lutem Zotit”, u shpreh Ibishi.
Ibishi gëzon një respekt të madh në Qytetin e Gjilanit. Ai për Portalin “FrontOnline” ka treguar një rast, kur mbeti pa punë për një muaj rresht. Ibishi ka thënë se me ndihmën e qytetarëve dhe shoqërisë civile ka arritur të rikthehet në poziten e tij serish.
“Qytetarët kanë shumë respekt ndaj meje, por edhe une kam respekti të madh ndaj të gjithë atyre. Më herët kemi qenë me kontratë pune me disa kompani tjera. Një grup i madh i punetorëve të ndërrmarjes “Ekohigjiena” në vitin 2017 janë larguar nga puna. Edhe une kam qenë në atë listë, por presioni i madh i qytetarëve dhe ndihma e madhe edhe prej vet komunës dhe shoqerisë civile kanë bërë të më kthejnë në vendin tim të punës, pas një muaji. U jam mirënjohës shumë qytetarëve të komunës së Gjilanit dhe gjithë anamoravës në përgjithësi”, tha ai.
Se jemi shoqeri paragjykuese e thotë edhe vet qytetari nga Gjilani, Avdil Ibishi, i cili ka pohuar se ka qenë shpesh pjesë e paragjykimeve, për faktin se këmbët i ka të palëvizshme.
“Në krashasim me disa komuna tjera, në Gjilan jo që nuk ka paragjykime ndaj nesh por janë shumë paragjyime të vogla. Ketu jemi shumë të respktuar, qytetarët ulen me ne, pin kafe edhe pa na njohur më parë”
“Më kujtohet një rast gjatë vitit 2003, në një seminar në Gjakovë, organizuar nga Bashkimi Evropian, kur dilnim për shetitje në mbrëmje. Ne, personat me aftësi të kufizuara, ishim në njëren anë të rrugës, ndërsa të tjerët komplet u zhvendosën në anën tjetër. Unë kam qenë, dhe jam edhe sot një lloj provokatori i situates. Kur ata dilnin në anën tjetër, dilnim edhe ne pas tyre, dhe këtë e kam bërë me qëlllim, i kam shtyer edhe shokët e mi ta bëjnë këtë, sepse e kam vërejtur që po na injorojnë pa arsye”, tha Ibishi, duke shtuar se një pjesë e madhe e qytetarëve i respektojnë.
Tutje, Ibishi ka thënë se mungesa e hapësirave rrugore për lëvizje të personave me nevoja të veçanta mbetet ende një problem.
“Është problem i madh sepse, duke u nisur nga shtëpia apo banesa ku jeton një person i tillë, has në rrugë të papërshtatshme. Ne kemi shumë objekte të ndërtuara prej viteve 70 që nuk kanë as ashensor. Edhe me pas shumë dëshirë me dal me pi një kafe, ia vështirëson sepse nuk kanë asnjë mundësi, shkaku i vendeve ku jetojnë e që nuk kanë ose nuk ju funksionon ashensori. Une kam pas fat, sepse jetoj në katin e parë të një banese ku e kam shumë të lehtë të dal edhe vet, pa ndihmën e askujt”, u shpreh Ibishi.
Tutje Ibishi ka thënë se për këtë kategori është bërë pak punë nga institucionet.
“Shumë pak ka pasur mbështjet për këta persona. Unë kam qenë njëri nga kritikuesit më të mëdhenjë në Komunën e Gjilanit për këta persona të cilët nuk kanë pasur qasje në institucione. Prej vitit 2015 personave me aftësi të kufizuara, i është përmisuar jeta sepse është në fuqi ligji që i mbron. Tani marrin edhe rroga më të mira”, ka thënë Ibishi.
Avdil Ibishi person me nevoja të veçanta, flet me shumë dashuri për sportin, teksa thekson se Futbollin e ka më të preferuarin, pavarisisht se nuk mundi të luaj kurrë në një fushë.
“Me fol realitetin e kam dashur Futbollin dhe e dua ende, edhe pse nuk kam mundur të luaj kurrë. Me pas kohë, gjithë ditën me knaqësi shikoj futboll. Me atletike jam marrë 96 herë. Dy herë kam marr pjesë jasht Kosovës, një herë në Tiranë dhe njeherë në Shkup. Në Shkup e kam zënë vendin e parë, gjithashtu edhe në Kosovë thuajse cdo herë kam arritur ta zë vendin e parë”.
“E kemi edhe klubin e Basketbollit me karroca “Drita”, që dikur ka qenë mjaftë i fortë, por tani thuajse klubi është në shuarje e sipër”, tha ai
Ibishi në fund ka një mesazh për të gjithë personat me nevoja të veçanta.
“Mesazhi im për çdo person, është të mos dorzohet, sepse çdo ditë e re është më e bukur se dita e sodit”, është shprehur Avdil Ibishi.