Avdiu: Si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Xhaviti Haziri bëri përpjekje që t’i bashkoi të gjitha forcat politike për të krijuar një platformë të përbashkët çlirimtare
(Fjalimi i mbajtur nga Ramadan Avdiu para të pranishmëve në zbulimin e pllakës përkujtimore në shtëpinë-bazë ku kishte qëndruar dhe vepruar Heroi Xhavit Haziri)
Në 26 vjetorin e kidnapimit dhe zhdukjes pa gjurmë nga policia pushtuese serbe, të heroit të Kosovës Xhavit Haziri, shumë bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë përkujtuan dhe nderuan heroin e Kombit.
Me këtë rast në shenjë përkujtimi e nderimi u zbulua pllaka përkujtimore në shtëpinë e familjes së Uran Rexhepit në rrugën Nazim Gafurri 146 në Prishtinë, bazë në të cilën ka vepruar Heroi Xhavit Haziri në vitin 1992-1993.
Fjalën e mbajtur me këtë rast mund ta gjeni në vijim!
E nderuara familje e heroit të kombit Xhavit Haziri,
E nderuar Remzie, të dashur Çlirim e Shqipërim,
Të nderuar pjesëtarë të familjeve të heronjve,
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë,
I nderuar Uran dhe ju familjarë të Metush Rexhepit pronarit të shtëpisë,
Të nderuar të pranishëm
Zonja e zotërinj
Sot në shtëpinë e familjes Rexhepi, po e zbulojmë pllakën në shenjë nderimi dhe përkujtimi për Heroin e Kombit Xhavit Haziri, i cili një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij udhëheqëse, në hapat e parë të organizimit të rezistencës së armatosur i zhvilloi pikërisht nga kjo bazë.
Nuk e kam të lehtë të flas për personalitetin polivalnet të heroit Xhavit Haziri, sepse është e pamundur që në një fjalë rasti si kjo, të përfshihen virtytet, guximi, angazhimi, përkushtimi, vetëmohimi, vizioni, dhe përpjekjet titanike të Xhavitit për të forcuar Lëvizjen, Rezistencën dhe luftën kundër pushtuesve.
Heroi i Kombit Xhavit Haziri veprimtarinë e tij antipushtuese e kishte filluar shumë i ri. Që nga viti 1977, kur ishte 17 vjeçar. Ai filloi angazhimet e para antipushtuese me veprimtarë në rrthin e Vushtrrisë, Ortakollit dhe Kastriotit si Xhavit Zhegrova Ramadan Pllana e Isak Qolli, etj.
Me 1 Prill të vitit 1981, ishte ndër organizatorët kryesor të demonstratës me nxënësit e shkollës së mesme Nikolla Teslla në Obiliq dhe të punëtorëve atëherë të kombinatit Elektroekonomia, të cilët marshuan duke protestuar deri në Prishtinë ku u bashkuan me demonstruesit e tjerë….
Si për të gjithë Lëvizjen e organizuar antipushtuese, ashtu edhe për Xhavitin si veprimtarë, periudha pas vitit 1981, paraqet një epokë të re të angazhimit dhe forcimit të organizimit antipushtues.
Organizimi i fshehtë antipushtues rritej dhe përsosej në vazhdimësi, por krahas kësaj shtoheshin edhe ndjekjet, arrestimet dhe represioni i pushtuesve ndaj veprimtarëve. Me formimin e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi në vitin 1982, Xhaviti ishte anëtarë aktiv i saj.
Arrestimet, dëbimet dhe vrasjet e veprimtarëve e ngadalësonin organizimin antipushtues, por nuk arrinin ta ndërpritnin atë. Pas rënies heroike të heronjve Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Bajram Bahtiri, dhe pas fushatës së madhe të arrestimeve në vitin 1984, Xhaviti vazhdon aktivitetin e tij revolucionar bashkë me veprimtarë të tjerë, si Fehmi Lladroci, Shaban Shala, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Xhabir Morina, Elmi Reçica, Bilall Sherifi, Nuhi Ahmeti, Abdullah Derguti , Shaban Muja, Bashkim Mazreku, Elmi Zeka etj. e shtrijnë organizimin në tërë Kosovën dhe viset e tjera të okupuara shqiptare. Në vazhdën e përpjekjeve për të shtuar aktivitetin dhe rezistencën antipushtuese, organizata goditet nga policia sekrete e pushtuesve dhe ndër të tjerë arrestohet edhe Xhaviti me 5 Janar 1986, i cili u dënua me 9 vjet burg. Pasi qëndroi më shumë se 4 vite, u lirua nga burgu në pranverë të vitit 1990.
Ai u lirua nga burgu pas ndryshimeve që kishin ndodhur në kampin e vendeve të bllokut socialist, kur tashmë ishin krijuar parti politike edhe në Kosovë.
Menjëherë u përfshi në radhët e organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Shumë shpejt e kuptoi se ishin krijuar rrethana më të favorshme se në vitet kur ishte arrestuar për debate, por jo edhe për veprim kundër okupatorit serb.
Në shkurt të vitit 1991, Xhaviti u zgjodh anëtar dhe sekretar politik në Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, kurse në Mbledhjen e III të Përgjithshme anëtarë i Kryesisë së LPK dhe Nënkryetar i saj. Nga Janari i vitit 1992 ishte u.d. i Kryetarit të LPK-së…
Në kohën kur ishte krijuar një klimë iluzioniste se ndryshimet e ndodhura do të mjaftonin dhe populli i robëruar shqiptarë do të arrinte lirinë, ne veprimtarët e organizuar në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës me Xhavitin në ballë, vazhduam veprimtarinë klandestine antipushtues duke e ngritur shkallën e organizimit dhe rezistencës, sepse e kishim të qartë se vetëm me fjalë e debate nuk do të mund të çlirohemi. Aq më tepër kur tashmë ishin përhapur flakët e luftës shoviniste e hegjemoniste serbe, ndaj republikave të ish federatës jugosllave, Sllovenisë dhe Kroacisë, kurse në horizont shihej edhe lufta në Bosnje e Hercegovinë…
Si njëri prej drejtuesve kryesor të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Xhaviti bëri përpjekje maksimale që t’i kontribuojë bashkimit të të gjitha forcave politike, për të krijuar një platformë të përbashkët çlirimtare. Por, fatkeqësisht kjo objektivë ngeli vetëm dëshirë…
Në këtë kohë kur nga veprimtarët ishin shtuar kërkesat për aksione të armatosura, seriozisht mendonim të fillojmë përgatitjet për kryengritje të armatosur, anëtari i LPK-së dhe bashkëveprimtari ynë Nehat Selimi, pikërisht në këtë shtëpi me instruksione të Xhavitit e hapi një ndërmarrje si agjenci udhëtimi. Brenda kishte edhe një zyrë të cilën Xhaviti e përshtati dhe filloi që aktivitetet çlirimtare t’i ushtronte nga kjo zyrë, i kamufluar si punëtor i agjencionit të udhëtimit.
Në këtë zyrë Xhaviti ka zhvilluar takime me veprimtarë të cilët ishin të përzgjedhur dhe të përcaktuar për t’u marrë me organizim ushtarak.
Në këto zyra përveç me anëtarë të Kryesisë së LPK-së, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Guximtar Labënishti e Hydajete Krasniqi, Xhaviti ka zhvilluar takime me veprimtarët dhe luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si; Ahmet Haxhiu, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Nait Hasani, Shaban Shala, Bajrush Xhemaili, Xheladin Gashi, Ibish Neziri, Adnan Asllani Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi, Sabit Veseli, Beqir Limani, Ismet Mahmuti etj. Ndërkaq komandantin Legjendar Adem Jashari dhe disa bashkëluftëtarë të tij i kishte takuar në Tiranë e pastaj edhe në Prekaz. Nga viti 1991 Kryesia e Lëvizjes e posaçërisht Xhaviti i kishte ripërtërirë lidhjet edhe me eprorë ushtarak si Tomë Berisha, Naim Maloku, Fadil Demiri, etj. Këta dy të fundit të dënuar si pjesëtarë të organizatës në të njëjtën kohë me Xhavitin.
Me pjesëtarë të tjerë të organizatës dhe luftëtarë Xhaviti ka zhvilluar takime në Tauk Bashqe dhe në vende të përshtatshme në lagjen përreth zyrës si me veprimtarët; Ramiz Lladroci, Mustafë Krasniqi, Isak Qolli, Ejup Thaçi, Ramadan Pllana, Islam Mulaku, Xhemajl (Florim) Kelmendi, Fadil Mirena, Behxhet Kelmendi, Bejadin Hallaqi, Hysen Gega, Nazmi Llapashtica, Sabri Uka, Xhevat Qerimi, Ismet Sylejmani, Hajredin Hyseni, Sahit Berisha etj.
Pas mbledhjes Konsultative të LPK-së, në Kollare në prill të vitit 1993, kjo zyrë nga Xhaviti është shfrytëzuar ekskluzivisht për përgatitje dhe organizim ushtarak, kurse për nevoja organizative të LPK-së siç kanë qenë përgatitjet për mbajtjen e Mbledhjes së IV të Përgjithshme të LPK-së, janë shfrytëzuar baza të tjera nga grupi për Organizim dhe Riorganizim dhe nga Kryesia e LPK-së.
Në mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPK-së, e mbajtur në Prishtinë më 26 dhe 27 Korrik 1993, në shtëpinë e familjes së veprimtarit Fatmir Brajshori, Xhaviti rizgjidhet anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së me specifikë të veçantë, si i ngarkuar me punë për organizim ushtarak.
Disa ditë pas mbajtjes së Mbledhjes së IV të Përgjithshme, në të cilën ndër të tjera ishte vendosur që të strukturoren njësitet e armatosura në organizim të veçantë ushtarak, pason një fushatë e egër e arrestimeve të veprimtarëve të LPK-së, në vazhdën e të cilës fushatë arrestohet Xhavit Haziri. Përkundër torturave mizore, pushtuesit nga Xhaviti nuk kanë arritur të nxjerrin asnjë të dhënë. Në mesin e 23 anëtarëve të LPK-së të arrestuar në atë kohë (gusht-shtator 1993) vetëm Xhaviti ka qenë pjesëmarrës në Mbledhjen e IV të Përgjithshme dhe ajo asnjëherë nuk u dekonspirua derisa vetë LPK nuk e ka bërë publike.
Pas këtyre arrestimeve, Xhavit Haziri u dënua me 5 vjet burg. Nga burgu u lirua pas 4 viteve në verë të vitit 1997. Ai menjëherë filloi veprimtarinë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëkohësisht ishte angazhuar si Sekretar në KMDLNJ në Prishtinë, të cilin angazhim e kishte si kamuflim. Derisa ishte duke u përpjekur të shtrinte, fuqizonte dhe koordinonte organizimin e UÇK-së, më 17 Shtator 1998, pra sot e 26 vite më parë, u kidnapua në Prishtinë nga njësite speciale të policisë pushtuese serbe. Nga ajo ditë, mbase duke e ditur ndikimin dhe rolin që do të mund të kishte Xhaviti në luftën çlirimtare pushtuesit nuk kanë dhënë asnjë informatë për fatin e tij. Ai evidentohet personalitet i zhdukur pa nam e pa nishan nga shteti i Serbisë, sikurse veprimtarët e mirënjohur Ukshin Hoti, Hafir Shala, Hysen Zogjani dhe 1586 të zhdukur të tjerë…
Duhet theksuar se gjatë gjithë veprimtarisë intensive antipushtuese, Xhaviti krah të fuqishëm e kishte familjen e posaçërisht bashkëshorten Remzijen, e cila sikurse Xhaviti për asnjë çast nuk ka rreshtur së vepruari përkrah Xhavitit, përkundër obligimeve që kishte si shtylla kryesore e familjes, veq kësaj edhe në shtëpi ndonëse në kushte të vështira ekonomike, i ka pritur dhe përcjellë bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e Xhavitit me zemër të hapur e sofër të shtruar, sikur të ishin vëllezërit e saj dhe shpesh herë thoshte ; « unë nuk kam vëlla, por shokët e Xhavitit janë si vëllezërit e mijë”.
Ajo në mungesë të Xhavitit, me vuajtje e sakrifica mbinjerëzore i rriti dhe edukoi në frymën atdhetare, në frymën e Xhavitit të dy djemtë Çlirimin dhe Shqipërimin.
Më 26 Nëntor 2010, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi e dekoroi me urdhrin Hero i Kosovës veprimtarin dhe ideologun e LPK-së dhe UÇK-së Xhavit Hazirin.
Të nderuar të pranishëm,
Heroi i Kombit Xhavit Haziri me angazhimin e tij vetëmohues është protagonist i rëndësishëm i historisë sonë të re. Emri i tij është i gravuar në memorien tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë me respekt të lartë për angazhimin e denjë në drejtim të organizimit të luftës dhe çlirimit të atdheut.
Respekt dhe nderim të pafund për të gjithë ata që u angazhuan, luftuan dhe fituan !
Lavdi Heroit të Kombit Xhavit HAZIRI
Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të kombit !
Ju faleminderit.
Prishtinë 17.09.2024