Avdullah Hoti dëshmon në rastin e “53 milionëshit”
Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, të martën pritet të dëshmojë në rastin e 53-milionëshit.
Ai pritet të dëgjohet në cilësinë e ish ministrit të Financave, në kohën e Qeverisë Haradinaj, kur edhe ishin proceduar 53 milionë euro për kompaninë Bachtel-Enka, për zgjatjen e afatit të punimeve për autostradën Arbën Xhaferi.
Më 3 shkurt, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është deklaruar i pafajshëm edhe në shqyrtim gjyqësor në rastin e 53 milionëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bashkë me Lekajn u deklaruan edhe tre të akuzuarit e tjerë Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatrit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe në seancën fillestare të mbajtur me 4 maj të vitit 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pa fajshëm për veprën penale që iu vihen në barrë.
Më 4 shkurt, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, ish-zyrtarit në Ministrinë e Infrastrukturës Nebih Shatri dhe shefit të kabinetit të Pal Lekajt, Eset Berisha.
Rasti i 53 milionëshit sipas prokurorisë kishte nisur në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj, kishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka”, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston fiananciare.
Sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.