Avdullah Hoti: Me qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se derisa në qeverinë paraprake janë bërë hapa përpara në konsolidimin e buxhetit të shtetit dhe zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, në qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se FMN-ja tërheq vërejtjen për çështje që LDK-ja i ka ngritur vazhdimisht në Kuvend.
Postimi i plotë i Hotit:
Derisa në qeverinë paraprake janë bërë hapa përpara në konsolidimin e buxhetit të shtetit dhe zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, në qeverinë e PAN-it po shënohet vetëm regres.
Sot, FMN-ja tërheq vërejtjen për çështje që LDK-ja i ka ngritur vazhdimisht në Kuvend, se gjatë kësaj qeverie:
– të hyrat janë ne nivel të ulët të mbledhjes,
– shpenzimet jo produktive për paga e mallra po rriten,
– nismat ligjore pengojnë sektorin privat dhe rrezikojnë rregullën fiskale,
– nuk ka ristrukturim të ndërmarrjeve publike,
– mungojnë investimet cilësore,
– reformat arsimore po ngecin,
– reformat lidhur me pensionet e veteranëve po vonohen.
Lidhur me taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, FMN konstaton se kostoja po paguhet nga familjet përmes çmimeve më të larta për produkte bujqësore, në veçanti nga familjet me të ardhura të ulëta.
Të dhënat nga studime të pavarura tregojnë gjithashtu se mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja janë zëvendësuar me mallra nga Maqedonia, Turqia, Izraeli dhe vende të tjera. Prodhuesit vendor nuk duket se kanë arritur të përfitojnë nga kjo taksë.