Avdullah Hoti tregon arsyet pse minishengeni ballkanik nuk është në interesin e Kosovës
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se minishengeni ballkanik është një modalitet tjetër i Unionit Doganor Ballkanik, të cilin e kanë refuzuar në vitin 2016.
Ai përmes llogarisë së vet në “Facebook” ka treguar disa arsye pse ky projekt nuk është në interesin e Kosovës dhe të shumicës së vendeve në regjion:
“1. Ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolle (tarifa, apo reciprocitet të plotë) për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin Kosovën dhe e pengojnë në çdo formë.
2. Mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të “lëvizjes së lirë” pa leje paraprake që mundëson minishengeni.
3. E de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale, pasi marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në minishengen.
4. Favorizon ekonomikisht shtetet e Ballkanit që kufizohen me shtete anëtare të BE-së përmes politikës së taksave, ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në.
5. Krijon mundësi për invazion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë.
6. Si vendi me popullsinë dhe me ekonominë më të madhe në rajon, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë regjionin e Ballkanit jashtë Bashkimit Evropian, në pritje të krijimit të balanceve të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë”.