Avdullah Lushi, të ardhme të ndritur në futboll (Foto)
Fshati Qyshk i Pejës, është i njohur për përjetimin e tij të tmerrshëm gjatë luftës ku rreth 100 burra u masakruan dhe u dogjën nga kriminelët serb në Masakrën e Qyshkut.
Njëri nga ata ishte edhe Avdullah Lushi, i cili në atë ngjarje u privua nga jeta, por që me gjakun e tij sikurse edhe të mijëra të tjerëve ia shuajt etjen lirisë së Atdheut tonë. Pesë vite pas asaj ngjarjeje të kobshme dhe pas përfundimit të Luftës lindi Avdullah Lushi i ri, nipi i Avdullahut të rënë dhe i biri i luftëtarit të UÇK-së, dhe të burgosurit politik, Naim Lushit.
Ky fshat, ndonëse i plagosur rëndë në trup e në shpirt, arriti të gjejë forcë për t’u organizuar dhe për ta rindërtuar jetën pothuajse plotësisht të shkatërruar e në masë të madhe edhe të braktisur e lënë në harresë. Xhavit Nikqi një djalë i ri në moshë për kohën, dhe entuziast i pashembullt i sportit të futbollit ndërmori iniciativën për themelimin e shkollës së futbollit KF Dardania Qyshk, e cila do të bëhej vazhdimësi e klubit të futbollit që fshati e kishte para luftës e ku ai vet kishte qenë lojtar së bashku edhe me babain e Avdullahut, Naimin e shumë të tjerë të cilët nuk hezituan për t’i dhënë përkrahjen e tyre. Kjo shkollë fillimisht grumbullojë shumë fëmijë të dëshmorëve dhe martirëve jo vetëm të Qyshkut por edhe të lokalitetit përreth duke iu dhënë kështu një mundësi angazhimi sportiv, por edhe të një rehabilitimi emocional pas humbjeve të dhimbshme, mbase më të dhembshmëve, që kishin pësuar në luftë.
Këtu gjeti angazhimin e tij të parë edhe Avdullahu, i cili u bë pjesë e kësaj shkolle, akoma pa mbushur 7 vite jetë që nga viti 2010.
Që në fillim u pikas talenti i tij dhe ndonëse në moshë të re shihej si një futbollist i perspektivës dhe një potencial i madh i të ardhmes.
Që në moshën 9-vjeçare është bërë pjesë e formacionit U13 të KF Dardania Qyshk e cila zhvillon garat në kuadër të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Pejës, ku Avdullahu me kalimin e kohës, dita ditës po shndërrohej në njërin nga lojtarët kyç të ekipit. Dëshira e babait të tij, për t’i dhënë atij eksperienca të reja dhe njohuri sa më të shumta të futbollit, e shpie në një shkollë tjetër të futbollit FC Stars e cila udhëhiqej nga trajnerët e mirënjohur Miftar Rama dhe Xhevdet Kuqi, prej të cilëve Avdullahu vazhdoi të mësoj akoma më shumë. Ai u bë pjesë e rëndësishme e këtij klubi me të cilin edhe arriti të fitoj titullin kampion të ligës U13, duke qenë ndër realizatorët më të mirë, megjithëse akoma s’kishte mbushur 11 vite të plota. Si njëri nga lojtarët kyç të ekipit ai u zgjodh edhe kapiten i tij.
Me po të njëjtin klub Avdullahu në vitin 2015 mori pjesë në turneun ndërkombëtar për grupmosha të reja të zhvilluar në Itali prej nga u kthyen me sukses të kënaqshëm duke zënë vendin e tretë e ku ai kishte arritur të shënoj 2 gola.
Pjesëmarrja nëpër turne të tilla ishte mjaft e shpeshtë dhe mjaft e suksesshme ku vlen të theksohet turneu i përvitshëm mbarëkombëtar i cili zhvillohet në Golem “Ulpiana Cup” në menaxhim të vëllezërve Bekim e Burim Kryeziu, por i veçantë ishte turneu në Strumicë të Maqedonisë në vitin 2016 ku Avdullahu morri pjesë si lojtar i 2 Korrikut të Prishtinës prej nga edhe u kthye me titullin e kampionit.
Avdullahu në vitin 2017 është rikthyer tek klubi i tij i fillimit KF Dardania Qyshk me të cilin kanë arritur të dalin nënkampion me ç’rast edhe kanë përfaqësuar Lidhjen Rajonale në garat e “play-off”-it në Prishtinë ku ai ka pasur një paraqitje mbresëlënëse.
Tani së fundmi, në një konkurrencë mjaft të fortë, është përzgjedhur si pjesë e përfaqësueses regjionale, ku nga e premtja do të jetë pjesë e kampit të organizuar nga FFK-ja në Durrës me ç’rast nga pesë regjionet pjesëmarrëse do të bëhet përzgjedhja e më të mirëve për Përfaqësuesen e Kosovës U15. Ne i dëshirojmë sukses Avdullahut, pasi jemi të bindur se ai është njëri prej atyre që Përfaqësueses së Kosovës do të mund t’i jap shumë në aspektin e cilësisë dhe përkushtimit.