Avdyli kërkon nga LDK-ja të reagojë për Gërvallen
Deputeti nga lista ‘Guxo’, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po qëndron e heshtur karshi, siç e quan ai, “fushatës” kundër ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Avdyli, në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 ka thënë se LDK po qëndron në “heshtje mortore”, duke thënë se deklarimet e dhëna të Gërvalla-Schwarz ishin gjatë kohës sa ajo ishte në këtë subjekt politik.
“Tash është një heshtje mortore në LDK për këto raste. Ka qenë qëndrim i LDK’së dhe zyrtarë të LDK-së janë vra, mendoj që Donika e ka zbulu atë frymë të politikës dhe mendoj se nuk ka gabu asgjë, sepse është shumë normale. Të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve të pasluftës”, ka thënë ai.
“LDK po hesht, është për t’u çuditur. Në njëfarë mënyre po pajtohen me këtë fushatë që po i bëhet një ish-zyrtare e LDK’së. Është nxjerrë nga konteksti ajo deklarata, por ka të bëjë me vrasjet e pasluftës”, deklaroi tutje ai.
Ai ka folur edhe për përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se deputetët e PDK-së patën sjellje të pahijshme ndaj ministres.
“Disa deputetë me të vërtetë, jo të gjithë, sjelljes e tyre ka vetëm një emër rrugaçëri e stilit klasik. Të fyhet një grua, një Ministre …Të shkohet te tavolina e të shahet. Gërvalla është sharë, është fyer”, deklaroi tutje ai.