Avdyli paralajmëron zyrtarizimin e koalicionit LV-Guxo-Alternativa
Anëtari i Kryesisë së Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka konfirmuar se në orët vijuese do të zyrtarizohet koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën.
Avdyli ka thënë për “RTV21” se në zgjedhje do të shkojnë si koalicion me dy partitë e tjera që për katër vite kanë bashkëqeverisur me vendin.
“Mendoj që partia Guxo i ka dhënë shumë këtij koalicioni edhe në Kuvend edhe në ekzekutiv, dhe në këtë drejtim të gjitha këto premisa na çojnë që ne ta vazhdojmë bashkëpunimin e ardhshëm në katër vitet e ardhshme dhe besoj se kjo do të arrihet përmes një koalicioni. Pritet në orët vijuese (zyrtarizimi i koalicionit). Koalicioni deri në orën 16:00 besoj se do sqarohen të gjitha dhe besoj se ky koalicion do të regjistrohet dhe do vazhdojmë bashkëpunimin në katër vitet ardhshme për të vazhduar punët e mira…”, ka thënë Avdyli.
I pyetur nëse do të ketë ndonjë koalicion paszgjedhor me partitë e tjera, ai ka thnë se koalicioni Vetëvendosje-Guxo-Alternativa nuk ka nevojë për parti të tjera.
“Besojmë se koalicioni LV-Guxo dhe Alternativa nuk ka me pasur nevojë për parti tjera, ky koalicion përbëhet për të kaluar rezultatin e 14 shkurtit 2021, besoj do të kalohet rezultati 51 për qind”, ka thënë Avdyli.