Aventura shqiptare e kryeagjentit të FBI-së

30 janar 2023 | 00:19

Charles McGonigal kishte një karrierë 20-vjeçare në Byronë Federale të Investigimit, duke arritur pozicionin e shefit të kundërzbulimit në Nju Jork, qytetit ku kundërzbuluesit zakonisht janë shumë të zënë me punë.

Por në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, ai udhëtoi disa herë në Shqipëri, pati dy takime dhe dy darka me kryeministrin shqiptar Edi Rama si dhe inicioi një hetim për një lobist amerikan. Ai duket se fitoi edhe shumë para e shpërblime, por se nga dolën këto para, dosja hetimore amerikane nuk jep ende sqarime.

Nga Gjergj Erebara – BIRN

Ka shumë gjasa që së shpejti, një thriller spiunazhi apo një serial televiziv do të bëhet bazuar në historinë e Charles McGonigal, një ish-zyrtari të lartë të FBI-së, gjuetar spiunësh, i kthyer në ryshfetmarrës dhe punonjës i një oligarku rus.

Amerikanët e kanë hetuar zyrtarin që kishte një karrierë të suksesshme 20-vjeçare në FBI, i cili, mes të tjerash, kishte një rol në hetimin e ndërhyrjes së aluduar ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 që u fituan nga Donald Trump, duke hartuar dy dosje të veçanta dhe duke e akuzuar në dy gjykata të ndryshme.

Njëra dosje lidhet me punën e tij në shërbim të oligarkut rus Oleg Deripaska, i sanksionuar në SHBA nga viti 2018 dhe në Evropë nga viti 2022, për të cilin McGonigal ka punuar nga viti 2021 e më pas. Dosja tjetër lidhet me “aventurën e tij shqiptare”, një aventurë që nisi që kur ai punonte si zyrtar i lartë i FBI-së në gusht 2017 dhe që përfundoi afro një vit pas largimit të tij nga detyra në FBI, në nëntor 2019, kur ai dhe bashkëpunëtorë të tij i dhanë fund një biznesi ligjor në Tiranë, biznes që financiarisht doli i pasuksesshëm.

Aktakuza e McGonigal në Uashington DC thotë se ai përdori pozicionin e tij publik si zyrtar i FBI-së për përfitime private, ndërhyri dy herë për të hapur hetime në interes të bashkëpunëtorëve të tij në biznes, me gjasë kundër opozitës shqiptare, si dhe mori udhëtime me shpenzime të mbuluara në Shqipëri, Austri e Kosovë.

Ai akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga një individ i quajtur Personi A, i cili gjerësisht besohet se është Agron Neza, një emigrant shqiptar në Amerikë, i përshkruar edhe si person që “dekada më parë ka punuar në shërbimin sekret shqiptar”. Sipas një deklarate të mëpasme të Nezës për media, ai ka punuar për Shërbimin Informativ Kombëtar në vitet 1991-1992.

Një rast, një prej hetimeve të FBI ndaj lobuesit të “partisë së ndryshme” nga ajo e kryeministrit Edi Rama, duket se u financua nga një shqiptar tjetër, i quajtur Personi B. Gjerësisht besohet se Personi B është Dorjan Duçka, një ish-zëvendës-ministër, për të cilin, kryeministri Edi Rama pranoi se “ka punuar si këshilltar pa pagesë për të”. Se për çfarë arsye, dikush mund të punojë si këshilltar pa pagesë për një kryeministër, kjo nuk u sqarua nga Rama. McGonigal është deklaruar para gjykatës i pafajshëm.

Përmes një reagimi për mediat, Neza i konsideroi paratë që i kishte dhënë McGonigal një borxh dhe çështje personale, ndërsa hodhi poshtë akuzat për biznes apo afera në këtë histori.

Personi B ka refuzuar të komentojë për median në Shqipëri, ndërsa Rama deklaron se akuzat ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.

Kronologjia

Dosja e Uashingtonit, dosja hetimore që lidhet me marrëdhëniet e McGonigal me Shqipërinë, paraqet një zyrtar që në mënyrë aktive kërkon para nga shqiptaro-amerikani i raportuar si Personi A, ndërsa udhëton në Shqipëri në mënyrë të përsëritur, udhëtime për të cilat, nuk paguan. Sipas aktakuzës, “jo më vonë se gushti 2017-ës, i akuzuari McGonigal u takua me personin A dhe pyeti nëse Personi A mund t’i siguronte atij para”.

Më 5 shtator 2017, McGonigal i raportoi FBI-së se do të kryente një vizitë “jozyrtare” në Shqipëri. Hetuesit zbuluan më vonë se ai nuk kishte treguar se do të ishte në këtë vizitë nën shoqërinë e Personit A, se shpenzimet e udhëtimit nuk po paguheshin prej tij, se ai do të udhëtonte edhe në Kosovë dhe se ai do të takohej edhe me Personin B. Më 7 shtator, i akuzuari dhe Personi A diskutuan për paratë dhe ai i tha se do t’ia siguronte gradualisht.

Më 9 shtator ai takohet me kryeministrin Edi Rama dhe diskuton mes të tjerave edhe licenca kërkimi për naftë.

Më 5 tetor 2017, ai mori 80 mijë dollarë nga Personi A në Nju Jork. Dy pagesa të tjera prej 80 mijë dhe 65 mijë dollarë pasuan më vonë atë vjeshtë.

Në 16 tetor 2017, McGonigal njoftoi FBI-në për një udhëtim tjetër në Shqipëri, ku sërish nuk deklaroi se do të takohej me kryeministrin shqiptar. Ai gjithashtu nuk pagoi për udhëtimin. Se kush ia mbuloi shpenzimet, kjo mund të merret me mend, por nuk dihet.

Më 20 nëntor 2017, ai është në Shqipëri ku takohet me Ramën. Sërish, as ai dhe as FBI nuk paguan për hotel e për ushqime.

Më 25 nëntor 2017, McGonigal informon Departamentin e Drejtësisë për një hetim të ri potencial në lidhje me lobimin e një “partie politike të ndryshme nga ajo në të cilën kryeministri është pjesë”. Kjo është pjesa për të cilën, Partia Demokratike (grupi i Berishës) akuzon se ka të bëjë me të. Sipas PD-së, Rama korruptoi zyrtarin e FBI në mënyrë që ky i fundit të hetonte lobuesin e PD në SHBA.

Në dhjetor 2017, McGonigal, Personi A dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, hëngrën darkë në Uashington D.C.

Në 22 janar 2018, McGonigal mori informacion “mbi një shtetas amerikan lobist” nga Personi A dhe ia kaloi këtë informacion një agjenti special në varësi të tij. Sipas aktakuzës, “Personi A e mori informacionin nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.”

Personi B ndihmoi në lehtësimin e hetimit të FBI-së, mes të tjerash, duke paguar shpenzimet e udhëtimit të një dëshmitari që u intervistua në Evropë.

Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI në Nju Jork hapi zyrtarisht një hetim penal të fokusuar te lobisti amerikan me kërkesë të të akuzuarit McGonigal dhe nën udhëzimin e tij.

Në 4 Mars 2018, McGonigal pati një darkë e dytë në Uashington me Ramën, Personin A dhe zyrtarë të tjerë.

Aktakuza vijon më poshtë me udhëtimet e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në qershor 2018, ai plotësoi një deklaratë korrigjuese në FBI për të raportuar marrjen e 225 mijë dollarëve nga Personi A.

Në 14 shtator 2018, McGonigal tërhiqet nga puna e tij në FBI.

Pas kësaj, suksesi i tij duket se fillon të pakësohet. Ai bëhet aksioner në një kompani investiguesish privatë në Tiranë, e cila pati zero të ardhura.

Në prill 2019, Charles McGonigal blen një paketë aksionesh në një kompani shqiptare të quajtur: LAWOFFICE & INVESTIGATION. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ai pagoi 2 milionë lekë kapital themeltar dhe mori 25% të aksioneve. Bashkëaksionerët e tjerë të kompanisë: Mark Thomas Rossini, një ish-punonjës i FBI-së, Shefqet Dizdari dhe Agron Neza. Ky i fundit raportohet gjerësisht se është personi që aktakuza e Uashingtonit i referohet si Personi A. Shefqet Dizdari njihet mes të tjerash si përfaqësues i një kompanie nafte të lidhur me Gazprom. Aksioneri tjetër, Mark Thomas Rossini, nuk është gjithashtu i panjohur. Ai shfaqet në një intervistë në Top Channel në prill 2019 duke komentuar mbi interesat e Rusisë në Shqipëri.

Kompania e pati jetën e shkurtër. Ajo u pezullua në tetor 2019. Bilanci i dorëzuar më vonë tregon se kompania kishte zero të ardhura, pra nuk kishte aktivitet.

Intervistë me “politikanin biznesmen”

Si një histori anësore, aktakuza e Uashingtonit ndaj McGonigal raporton se si ky i fundit, u takua me një person të përshkruar si “politikan dhe biznesmen shqiptar”. Personi në fjalë i kërkoi McGonigal që ai të hetojë një tentativë vrasjeje ndaj tij.

Personi A e prezantoi zyrtarin e FBI-së me “politikanin biznesmen” në shtator 2017. Në 18 nëntor 2017, të dy udhëtuan për në Austri. Aktakuza vëren se Personi A punoi si përkthyes gjatë intervistës, e cila u krye në prani të një prokurori të Departamentit të Drejtësisë, por McGonigal “nuk plotësoi dokumente në lidhje me autorizimin apo financimin e shërbimit të përkthimit.” Aktakuza vëren gjithashtu se FBI “nuk disponon regjistrim zyrtar të intervistës”.

Pas intervistës në Austri, të tre duket se udhëtuan drejt Shqipërisë. Kësaj here, në Tiranë, “biznesmeni politikan” dhe McGonigal “diskutuan oportunitete biznesi”.

Lidhja ruse

Dosja me lidhjen ruse të Charles McGonigal është e veçantë dhe për këtë akuza është ngritur në Nju Jork. Sipas akuzës, historia nis në vitin 2021, gati dy vjet pas mbylljes së aventurës shqiptare dhe zhvillohet e gjitha në Nju Jork. Në të nuk ka shqiptarë. Akuza thotë se oligarku rus Oleg Deripaska, i vendosur nën sanksione nga Departamenti i Thesarit të SHBA që nga viti 2018 për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin, pagoi përmes një ndërmjetësi McGonigalin si jurist, në mënyrë që ky të punonte me objektivin final, delistimin e Deripaskës nga lista e oligarkëve rusë të sanksionuar. McGonigal punoi për Deripaskën pas tërheqjes nga FBI. Punësimi klasifikohet si i paligjshëm nga akuza për shkak se oligarku ishte nën sanksione.

Deripaska dhe Shqipëria

Deripaska rezulton përfitues fundor indirekt në dy kompani shqiptare, TREMA ENGINEERING 2 dhe Shushica Hydropower. Deripaska bleu 30% të aksioneve të kompanisë austriake “Strabag” në vitin 2007. Në atë kohë, Deripaska nuk ishte subjekt sanksionesh. Ai u vendos nën sanksione amerikane më 2018 dhe në BE e Britaninë e Madhe më 2022, pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Strabag është përpjekur ta largojë atë si aksioner. Trema Engeneering është një kompani historike shqiptare, e cila iu shit nga pronari i vet kompanisë austriake në masën 100% në vitin 2020. Trema është pronare e 25% Shushica Hydropower. Kjo e bën Deripaskën përfitues fundor të këtyre dy kompanive përmes paketës së aksioneve që ai ka në Strabag. Deripaska është formalisht nën sanksione edhe në Shqipëri që nga prilli i vitit 2022, kur Shqipëria vendosi të zbatojë kundër Rusisë dhe shtetasve rusë të njëjtat sanksione që zbaton Bashkimi Evropian. Deripaska u sanksionua më 8 prill nga Këshilli Evropian. Të dhënat e prokurimit publik në Shqipëri tregojnë se Trema Engeneering nuk ka fituar tendera përgjatë vitit 2022. Tenderi i fundit i fituar prej saj është në vitin 2021, kohë kur Deripaska ishte subjekt i sanksioneve amerikane, por jo i atyre evropiane, të cilat i zbaton edhe Shqipëria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit